Ejakulimi më i shpeshtë mund të përmirësojë pjellorinë mashkullore

Studimi sugjeron që ejakulimi i rregullt mund t’i japë pjellorisë mashkullore “një shtytje të vogël, por domethënëse” – dhe se edhe disa ditë vonesë mund të kenë rëndësi për suksesin e fertilizimit in vitro.

Cilësia e spermës bie shpejt kur ruhet, qoftë tek meshkujt apo femrat, ka zbuluar një ekip studiuesish nga Departamenti i Biologjisë në Universitetin e Oksfordit.

Studiuesit kryen një meta-analizë të 115 studimeve njerëzore, që përfshinin gati 55,000 burra, së bashku me 56 studime në 30 specie jo-njerëzore. Ata zbuluan se spermatozoidet e pjekura përkeqësohen në ruajtje pavarësisht nga mosha e mashkullit, një proces i quajtur plakja post-meiotike e spermës.

Tek njerëzit, periudhat më të gjata të abstinencës seksuale ishin të lidhura me rritjen e dëmtimit të ADN-së së spermës dhe stresin oksidativ, si dhe me uljen e lëvizshmërisë dhe qëndrueshmërisë së spermës.

"Meqenëse spermatozoidet janë shumë të lëvizshme dhe kanë citoplazmë minimale, ato i shterojnë shpejt rezervat e tyre të energjisë së ruajtur dhe kanë kapacitet të kufizuar për riparim. Kjo e bën ruajtjen veçanërisht të dëmshme, krahasuar me llojet e tjera të qelizave", shpjegoi bashkë-autorja kryesore Dr. Rebecca Dean nga Departamenti i Biologjisë në Universitetin e Oksfordit.

"Studimi ynë nxjerr në pah se si ejakulimi i rregullt mund të ofrojë një nxitje të vogël, por domethënëse për pjellorinë mashkullore", shtoi ajo.

Dallimet midis meshkujve dhe femrave

Si kafshët mashkullore ashtu edhe ato femërore, mund të ruajnë spermën si një strategji riprodhuese. Tek njerëzit, sperma mund të mbijetojë tek femrat për disa ditë, por efektet e një ruajtjeje të tillë kanë qenë më pak të qarta.

Studimi zbuloi se femrat janë përgjithësisht më të mira se meshkujt në ruajtjen e cilësisë së spermës në planin afatgjatë.

“Kjo ka të ngjarë të pasqyrojë evolucionin e përshtatjeve specifike për femrat, siç janë organet e specializuara të ruajtjes që ofrojnë antioksidantë për të zgjatur qëndrueshmërinë e spermës”, tha autorja kryesore Dr. Irem Sepil, gjithashtu nga Oksfordi.

"Këto organe shpesh sekretojnë lëngje riprodhuese për të ushqyer spermatozoidet dhe mund të ofrojnë rrugë të pashkelura për teknologjinë e biomimikimit, për të përmirësuar ruajtjen artificiale të spermës në të ardhmen."

Autori kryesor, Dr. Krish Sanghvi, shtoi: “Ejakulat duhet të shihen si popullata të spermatozoideve individuale që i nënshtrohen lindjes, vdekjes, plakjes dhe vdekshmërisë selektive.”

"Shkalla e këtyre proceseve demografike mund të ndryshojë tek meshkujt dhe femrat, duke ndërmjetësuar strukturën 'demografike' të popullatave të spermës dhe ndryshimet specifike gjinore në efektet e ruajtjes së spermës."

Pse është i rëndësishëm ky studim?

Studimi tregon se spermatozoidet mund të “plaken” si tek burrat ashtu edhe tek gratë, pavarësisht nga mosha e tyre aktuale - diçka që shpesh anashkalohet në mjekësinë riprodhuese.

Aktualisht, udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se është në rregull të presësh deri në shtatë ditë para se të japësh një mostër sperme, por këto gjetje të reja sugjerojnë se kjo mund të jetë shumë e gjatë. Hulumtime të tjera mbështesin idenë se ejakulimi brenda 48 orëve nga dhënia e një mostre, mund të përmirësojë suksesin e fertilizimit in vitro.

"Ne e dimë që te primatët, ejakulimi i shpeshtë nga masturbimi përmirëson cilësinë e ejakulateve. I kombinuar me rezultatet tona, kjo sugjeron që masturbimi mashkullor mund të ketë një përfitim adaptiv: ai nxjerr jashtë spermën e dëmtuar dhe të ruajtur", shkruan studiuesit e studimit në The Conversation.

Këto rezultate mund të ndihmojnë në përmirësimin e protokolleve të klinikave të fertilitetit, të udhëzojnë programet e mbarështimit për kafshët e rrezikuara dhe të na japin një kuptim më të mirë, se si evolucioni ka formësuar mënyrat për të mbrojtur spermatozoidet gjatë ruajtjes./ Euronews.