BE thirrje kryeqyteteve evropiane: Përgatituni më mirë për kërcënimin në rritje nga zjarret!
Komisioni Evropian u bëri thirrje të mërkurën kryeqyteteve të përgatiten më mirë për kërcënimin në rritje të zjarreve në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe përqendrimin në ruajtjen e natyrës për të parandaluar zjarret në shkallë të gjerë.
"Zjarret po bëhen gjithnjë e më të egër dhe më shkatërruese në të gjithë Evropën, me pasoja katastrofike për jetën, mjedisin dhe ekonomitë tona", tha Komisionerja e Mjedisit e BE-së, Jessika Roswall.
Sipas të dhënave të BE-së, viti 2025 ishte sezoni më i keq i zjarreve që nga fillimi i regjistrimeve, me mbi 1 milion hektarë të djegur.
Zjarret në pyje përkeqësohen nga ndryshimet klimatike, të cilat çojnë në vera më të gjata, më të nxehta dhe më të thata në BE, tha komisioni.
Në një strategji të re të paraqitur, komisioni e konsideron ruajtjen e natyrës si një masë parandaluese.
"Duke investuar në parandalim, restaurimin e natyrës dhe krijimin e peizazheve rezistente ndaj zjarrit, ne mund të shmangim dëmet ekonomike me vlerë miliarda euro", tha Roswall.
Ekosistemet e shëndetshme mund të kufizojnë përhapjen e një zjarri dhe bimësia më rezistente ndaj zjarrit mund të zbusë rrezikun dhe ndikimin e zjarreve në pyje, tha komisioni.
Përveç kësaj, komisioni propozoi disa nisma për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet nga zjarri, duke përfshirë trajnimin e mësuesve për të informuar më mirë të rinjtë.
Komisioni do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë financiarisht zhvendosjen e përkohshme të zjarrfikësve gjatë sezonit të zjarreve në zona me rrezik të lartë brenda BE-së, në mënyrë që ata të jenë më të pajisur në rast se shpërthejë një zjarr./ DPA News.