Papa Leo: Mes çmendurisë së luftës, duhet ta mbrojmë jetën në çdo fazë!
"Në një kohë të shënuar nga çmenduria e luftës, është e rëndësishme të mbrojmë jetën që nga ngjizja deri në fundin e saj natyror."
Papa Leo XIV e bëri deklaratën gjatë Audiencës së Përgjithshme të së mërkurës në Vatikan këtë mëngjes, ndërsa kujtoi Ditën për Shenjtërinë e Jetës në fjalën e tij drejtuar besimtarëve që flasin polonisht.
Në Poloni, Dita për Shenjtërinë e Jetës festohet çdo vit më 25 mars. U krijua në vitin 2004, për të përkuar me Festën e Kishës së Lajmërimit.
Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve frëngjishtfolës, Papa u bëri thirrje pastorëve të Kishës që të “shpallin Ungjillin me zell dhe t’i ndihmojnë të krishterët të angazhohen aktivisht për ndërtimin e një bote paqeje”.
Duke ua bërë këtë ftesë të gjithë besimtarëve, Papa u kujtoi atyre që flasin arabisht se “çdo i krishterë është i thirrur të jetë një dishepull plot dashuri dhe një lajmëtar i guximshëm për të shpallur Ungjillin në të gjithë botën”./ Vatican News.