Irani merr planin 15 pikësh të SHBA-së, ambasadori iranian mohon negociatat 'S'ka as të drejtëpërdrejta as të tërthorta'
Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se Irani ka marrë planin prej 15 pikash nga SHBA-ja për arritjen e një armëpushimi në luftën SHBA-Izrael me Iranin, duke cituar dy zyrtarë pakistanezë.
Zyrtarët pakistanezë raportohet se kanë thënë se propozimi mbulon gjerësisht sa vijon:
-Lehtësimin e sanksioneve
-Bashkëpunimin bërthamor civil
-Një tërheqje të programit bërthamor të Iranit
-Monitorimin nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike
-Kufizimet e raketave dhe qasjen për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë më parë se vendi ishte "gati" të priste bisedime për një zgjidhje të konfliktit. shkruan BBC.
Kanali 12 i Izraelit ka raportuar gjithashtu për planin ndërsa nuk ka pasur konfirmim të detajeve nga Shtëpia e Bardhë. Ndërkaq, ushtria iraniane ka mohuar se po negocion me SHBA-në.
Edhe ambasadori i Iranit në Pakistan, Reza Amiri Moghadam, deklaroi se “nuk ka pasur as negociata të drejtpërdrejta dhe as të tërthorta” mes SHBA-së dhe Iranit, sipas mediave shtetërore iraniane IRNA.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump ishte shprehur se administrata e tij po “flet me njerëzit e duhur” në Iran dhe se ata “duan shumë të arrijnë një marrëveshje”. Por një zëdhënës i ushtrisë iraniane tha se SHBA “po negocion me vetveten”.
Nga ana tjetër, Shehbaz Sharif përsëriti në rrjetet sociale se Pakistani është “gati” të presë bisedime për zgjidhjen e konfliktit.
Sipas ambasadorit Moghadam, “vendet mike po përpiqen të krijojnë terrenin për dialog mes Teheranit dhe Uashingtonit, dhe shpresojmë që kjo të jetë e frytshme për t’i dhënë fund kësaj lufte të imponuar”.