Akuzohet si pjesë e grupit kríminal te AKSHI Ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj është paraqitur sot në SPAK. Ajo u pa të hynte në SPAK në orën 10:00 e shoqëruar nga një avokat

Dhjetorin e shkuar, Prokuroria e Posaçme goditi një grup të dyshuar kriminal në krye të AKSHI-t, mes të cilëve edhe drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, aktualisht në arrest shtëpie, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. 

LEXO EDHE: U kapën 7 telefona në Qershor, tenderat e Karçanaj dolën në bisedat me…

Në një “esencë hetimi” prej 206 faqesh, SPAK përshkruan një rrjet të mirëorganizuar brenda agjencisë, i cili dyshohet se ka përvetësuar qindra milionë euro nga tenderat publikë, përmes shantazhit, pengmarrjes dhe përfshirjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe policorë.

Kjo konsiderohet një nga dosjet më të rënda të SPAK, pasi AKSHI është një ndër institucionet më sensitive në vend, që menaxhon pothuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania dhe shërben si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve për qindra shërbime. 

Lexo dhe: Rama e bëri për ‘gjynah’, Mirlinda Karçanaj zotëron 4 apartamente dhe një ullishte, nuk jeton me qira

Në dhjetor 2025, ndërsa Karçanaj vijonte të ishte drejtoresha e AKSHI-t, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024. 

Me kërkesë të SPAK, më datë 16 dhjetor 2025 u lëshuan 8 masa sigurie për drejtoreshën e AKSHI-it dhe për zyrtarë të tjerë të këtij institucioni mes të cilëve për  Agasin dhe Beqirajn, të cilët i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.

Karçanaj dha dorëheqjen më 13 shkurt 2026 dhe në krye të AKSHI-t u emërua Igli Tafa, që drejtonte Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.