Ndryshimet në Rregullore/ Blushi – Peleshit: Kush e ka iniciuar procesin? Mos u keqpërdorni, prisni GJK!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një shkrese zyrtare i ka kthyer përgjigje kreut të Kuvendit Niko Peleshi, lidhur me kërkesën mbi ndryshimet që  propozohen në Rregulloren e Kuvendit, deri më 3 prill.

 Në përgjigje theksohet se ndryshimet e fundit në Rregullore janë shfuqizuar si anti-Kushtetues, pasi ka ndodhur vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa vendim i GJK pritet ende të zbardhet.

Blushi i kërkon Peleshit të tregojë maturi institucionale dhe të mos keqpërdoret, ndërsa ngre dyshime mbi iniciomin e këtij procesi.

‘Për sa më lart, mbetemi në pritje të sqarimit tuaj se për çfarë “procesi të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit” bëhet fjalë dhe kush e ka iniciuar këtë proces, pa pritur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, thuhet në shkeresën e Blushit drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi.

SHKRESA

“Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 1215 Prot., datë 19.03.2026, me anë të së cilës na kërkoni që brenda datës 3 prill 2026, të propozojmë ndryshime që vlerësojmë të nevojshme në Rregulloren e Kuvendit, ju paraqesim paqartësinë tonë sa më poshtë: Në shkresën tuaj ju shpreheni se “në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendif”, por pa specifikuar se për çfarë procesi bëhet fjalë, nga kush është ndërmarrë dhe po kryhet ky proces vlerësimi dhe si ka lindur kjo nevojë.

Sjellim në vëmendjen tuaj se Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në datë 23.02.2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit.
Ju duhet të tregoni maturi institucionale, të mos pranoni të keqpërdoreni dhe duhet të respektoni autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat keni detyrimin për t’i kaluar më pas për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë.

Për sa më lart, mbetemi në pritje të sqarimit tuaj se për çfarë “procesi të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit” bëhet fjalë dhe kush e ka inicuar këtë proces, pa pritur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.