Bastoni është i përzgjedhuri i Barcelonës, gati ofensiva për mbrojtësin e Interit

Barcelona ka vendosur një objektiv të qartë për sezonin e ardhshëm: përforcimin e repartit të pasmë me një emër të madh. Sipas medieve spanjolle, zgjedhja kryesore e klubit katalanas është Alessandro Bastoni, qendërmbrojtës i Inter.

Gazeta “Sport” raporton se drejtuesit e Barcelonës dhe trajneri Hansi Flick janë plotësisht në një linjë për afrimet e verës dhe Bastoni konsiderohet prioritet absolut për mbrojtjen. Interesimi për italianin nuk është i ri, pasi ai ndiqet prej muajsh dhe paraqitjet e tij në sezonet e fundit, veçanërisht në kompeticionet europiane, kanë bindur edhe më shumë klubin spanjoll.

Madje, kontaktet mes palëve kanë nisur që në nëntorin e kaluar, kur drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka udhëtuar drejt Milanos për të takuar përfaqësuesit e lojtarit dhe për të kuptuar gatishmërinë e tij për një transferim të mundshëm. Sinjalet e para kanë qenë pozitive dhe Bastoni nuk e ka përjashtuar mundësinë për t’u transferuar në Spanjë, edhe pse ka kontratë me Interin deri në vitin 2028.

Në muajt e fundit, te Barcelona është rritur bindja se mbrojtësi mund të pranojë ofertën, sidomos në një moment kur ai ka qenë në qendër të kritikave pas disa polemikave në Itali. Kjo situatë mund ta shtyjë lojtarin të mendojë për një aventurë të re.

Nga ana tjetër, Interi e vlerëson kartonin e Bastonit rreth 60 milionë euro. Barcelona po përgatit një ofertë që mund të përfshijë edhe një lojtar në këmbim. Një nga emrat e përfolur është Gerard Martín, i cili pëlqehet nga zikaltrit, por katalanasit nuk duken të gatshëm të heqin dorë lehtësisht prej tij.

Gjithçka tregon se vera pritet të jetë e nxehtë në merkato, me Barcelonën që është gati të hidhet në sulm për të siguruar shërbimet e një prej mbrojtësve më të vlerësuar në Europë.