‘Jam rikthyer...’/ Kamela Islamaj rrëfen zhgënjimin që e bëri të heqi dorë nga muzika për 10 vite

Një një interviste në A Show në SYRI TV me Adi Krastën, një nga zërat e dashur të muzikës shqiptare, Kamala Islamaj ka zbuluar një anë të panjohur të jetës dhe karrierës së saj, duke rrëfyer për një zhgënjim të thellë që e largoi nga pasioni i saj më i madh për një dekadë të tërë.

Artistja tregoi se dashuria e saj e parë ishte piano, së cilës i kushtoi fëmijërinë dhe adoleshencën, duke studiuar nga mosha 6 deri në 18 vjeç.

Megjithatë, ëndrra për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve u ndërpre nga një konkurs ku nuk arriti të fitonte. Ky moment rezultoi aq i dhimbshëm sa e shtyu të merrte një vendim drastik.

“Ishte një nga arsyet për të cilat unë lashë pianon. U mërzita ekstremisht shumë, shita pianon dhe nuk e preka për 10 vjet. Ishte një gabim shumë i madh”, rrëfeu ajo, duke e përshkruar këtë periudhë si një kapitull të vështirë.

Megjithatë, pas një dekade, ajo është rikthyer te pianoja. Rikthimi nuk synon një karrierë si pianiste profesioniste, por shërben si një formë terapie dhe kënaqësie personale. “Jam rikthyer për të kënaqur veten, për të mos u ndjerë vetëm. Gjithë jetën time kam kaluar vetminë e një fëmije duke luajtur në piano”, shpjegoi këngëtarja, duke theksuar se instrumenti ishte shoqëruesi i saj më besnik.

Në intervistë, ajo zbuloi edhe detaje nga personaliteti i saj, duke e përshkruar veten si “ende djali i munguar i prindërve” dhe me një natyrë “menefregiste”. Ajo ndau një kujtim të hershëm ku puthte veten në pasqyrë, duke shtuar me humor se “amorpropi (dashuria për veten) është shumë i rëndësishëm”.

Një tjetër element formësues në jetën e saj ka qenë vendlindja, Korça. Sipas saj, ky qytet ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm artistik. “Të lindësh dhe të rritesh në një qytet që buron art nga çdo cep është diçka e madhe”, u shpreh ajo, duke theksuar se ky mjedis kulturor ka luajtur rol kyç në formimin e saj si artiste.

Ky rrëfim i sinqertë zbulon një portret të plotë të artistes: një personalitet i formuar nga pasionet e hershme, zhgënjimet e mëdha dhe një shpirt elastik që e lejoi të rigjejë rrugën drejt dashurisë së saj të parë, muzikës.