Lukaku tërhiqet nga grumbullimi me Belgjikën

Romelu Lukaku është tërhequr nga grumbullimi me Belgjikën, duke lënë ekipin para ndeshjeve miqësore të muajit mars për t’u kthyer në Itali.

Belgjika nisej drejt SHBA për ndeshjet miqësore atje ndaj përfaqësueses vendase dhe Meksikës, por Lukaku ka vendosur që të mos jetë pjesë e ekipit.

Një vendim që ia ka komunikuar stafit te Federatës e cila e bëri më pas publik për mediat.

“Romelu ka zgjedhur që të përqendrohet te stërvitja për të përmirësuar gjendjen e tij fizike. Federata respekton vendimin e tij dhe i uron më të mirën”, shkruhej në komunikatën e publikuar rreth kësaj teme, që padyshim nuk ka kënaqur shumë në ambientet e përfaqësueses së Belgjikës.

Por Lukaku e ka ndarë mendjen që të punojë për të qenë në formën maksimale për muajt e fundit të sezonit e mundësisht Botërorin.

Ndaj ka vendosur të sakrifikojë këto dy miqësore, për të rifituar sa më parë formën me Napolin.

Te klubi në fjalë janë të bindur se kanë ende shanse për titullin kampion dhe kthimi i Lukakut të vërtetë, mund të jetë një armë më shumë në dispozicion për Konten në muajt në vijim.