‘Lufta është fituar’/ BBC: Trump flet me tone pozitive për negociatat, por nuk përmend Izraelin

Nga Bernd Debusmann Jr, BBC

Donald Trump mbajti një ton optimist në Zyrën Ovale pak më parë, duke vënë theksin edhe një herë negociatat dhe duke sugjeruar publikisht se ky konflikt do të përfundojë përmes bisedimeve.

Nga një këndvështrim thjesht ushtarak, Trump duket se beson qartësisht se SHBA tashmë ka fituar, duke thënë se lufta “është fituar”, dhe duke fajësuar mediat për çdo dyshim që vazhdon të ekzistojë për këtë.

Për herë të parë, Trump konfirmoi drejtpërdrejt se zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner po marrin pjesë në negociata.

Megjithatë, mbetet e paqartë me kë po negociojnë, si dhe përmbajtja e negociatave apo se sa përpara kanë avancuar ato.

Trump gjithashtu nuk ka specifikuar publikisht deri tani se çfarë kërkon saktësisht nga iranianët për sa i përket lëshimeve, përveç një angazhimi të fortë – që ai thotë se SHBA-ja e ka siguruar – se Irani do të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

Objektiva të tjera të SHBA-së në luftë – si përfundimi i mbështetjes së Iranit për organizatat proxy në Lindjen e Mesme apo ndalimi i programit të raketave balistike – janë përmendur shumë pak.

Me rëndësi, Trump nuk përmendi gjithashtu Izraelin dhe as mënyrën se si një marrëveshje e negociuar do të mbështeste objektivat e tij ushtarake dhe gjeopolitike në rajon.