Një letër anonime për Ilir Metën

Dhe sot nuk u ndryshua masa e sigurimit ndaj ish-presidentit Ilir Meta. U la në burg. Jo në arrest shtëpie a në detyrim paraqitje. Paçka se dosja e tij u hetua, u kopsit, u çua në gjykatë. Me prova, me dëshmi, me arsyetim, sipas SPAK-ut. Pra, ai nuk mundet më të prishë gjë, apo të kërcënojë dëshmitarët. E megjithatë e lanë në qeli. Çudi nuk është. Si shpjegim ka trysni të Ramës mbi drejtësinë, ose frikë të gjykatësve.

Pas afro një viti e gjysëm në izolim më duket qesharake zhurma që bën maxhoranca se po mbushen birucat me të paraburgosur. Thënë për të shpëtuar Ballukun, por dhe për të demaskuar veten. Se ja, Meta vazhdon atje, i ngujuar. Pse? Kur çdo hetim përfundoi, pse?

Në kësi rastesh kushdo ve buzën në gaz. Nga që kuptohet mllefi i kryeministrit dhe shërbimi përulës i gjykatave. Ndërkohë më erdhi ndër mend një komedi e hershme. Kur punoja para shumë vitesh, në motet e diktaturës d.m.th, në gazetë një kolegun tim e pushuan nga puna.

-Pse? -e pyeta.

-Po ja nga fshati erdhi një letër anonime në komitet sikur një gjyshi im është pushkatuar si armik nga partizanët.

Nuk mund ta pyesja më se qe akuzë e tmerrshme. Por ai vazhdoi:

-Nuk është e vërtetë fare. Se unë i kam gjallë të katër gjyshërit.

Por nuk rrodhën normal ditët më pas. Kolegu shkoi në fshat, i mori të katër gjyshërit dhe ashtu të gjallë i çoi në komitet. E më pas sërish nuk e kthyen në punë. Shokët e komitetit vendosën:

-I besojmë letrës. Ajo shkon në arkivë. Fjalët i merr era, e shkruara ngelet. Se katër gjyshërit sot janë gjallë, ama nesër s’janë gjallë. Pikë.