VIDEO-Krimi që tronditi Roskovecin/ Flasin fqinjët: Në fshat dukeshin mirë, se ç’kanë…
80 vjeçari, Shefit Rrapaj vrau me pushkë bashkëshorten e tij Dashuri Rrapaj pasditen e kësaj të marte në Roskovec. Menjëherë më pas ai i dha fund edhe jetës së tij.
Gruaja e tij, 75-vjeçarja u qëllua nga burri i saj brenda shtëpisë së tyre, ndërsa nga fqinjët mësohet se kishin rreth 20 vjet që jetonin në këtë zonë pasi ishin zhvendosur nga Levani i Beratit.
Ata ishin prindër të 9 fëmijëve, 3 vajza dhe 6 djem, shumica e të cilëve jetojnë në emigracion. Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.
Krimi i dyfishtë, ndodhi në fshatin Kuman, ndonëse ende policia nuk e ka zbardhur arsyen që e shtyu të moshuarin në këtë akt fatal,
“Në fshat dukeshin mirë, se ç’kanë pasur brenda për brenda s’e di. Kovaç ishte, merrej me bahçen e zonja shtëpiake. Kanë ardhur nga Levani. Në komunitet njihen si njerëz të mirë. Me kunatin kanë pasur shtëpinë 3 katëshe, por nuk shkonin, nuk flisnin. Vëllai dhe motra jetonin këtu, se janë këmbyer. Fëmijët nuk vinin shpesh”, u shpreh një nga banorët e zonës.
"Di që si mik që kam ardhur më kanë pritur. Ndoshta ka qenë konflikt i çastit se unë nuk jetoj këtu në fshat", u shpreh një tjetër.
Banorë të tjera nga zona bëjnë me dije se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite. Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit. Po të njëjtët thonë se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri, por të gjitha këto deklarata mbeten për tu verifikuar nga hetuesit.