SYRI TV/ GJKKO rrëzon Metën për masën e sigurisë, Meta ofron garanci pasurore, GJKKO s’pranon
As garancia pasurore, as përfundimi i hetimeve nuk e bindën Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të ndryshuar masën e sigurisë për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurie, por gjykata nuk e mori parasysh kërkesën, duke e lënë në burg. Pas vendimit, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, u shpreh se beteja ligjore do të vijojë.
Gjykata rrëzoi kërkesën e Metës për të zëvendësuar masën “arrest me burg” me një masë më të lehtë. Avokati Cakrani ofroi edhe 50 mijë euro ose një pronë të ish-presidentit si garanci pasurore, por kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar vendimin. Meta nuk ishte i pranishëm në seancë.
Seanca përkoi me ditëlindjen e tij të 57-të. Në një postim në Facebook, Meta falënderoi miqtë dhe të afërmit për urimet, duke thënë se ndihet më i lirë, më i ri dhe më i fortë se kurrë. Ai falënderoi gjithashtu nënën e tij për emrin që i dha.
Ndërkohë, javën e ardhshme pritet të nisë gjyqi në themel i dosjes ndaj Ilir Metës, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, nënës së saj Fatime Kryemadhi dhe ish-zyrtarëve Pirro Xhixho dhe Ema Coku, në kuadër të hetimit për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie, lidhur me aferat Cez Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA.