SYRI TV/ PS vijon me nismën për referendumet, Balla shmang pyetjen për Reformën në Drejtësi

 

Partia Socialiste ka tentuar të largojë vëmendjen nga skandalet korruptive dhe vendimet politike për të penguar drejtësinë, përmes mbrojtjes që i bëri Belinda Balluku, duke hedhur në publik shashkën e miratimit të një ligji për referendumet.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, avancoi idenë me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ligji për referendumet do të hidhet në konsultim publik, ndërsa e justifikoi propozimin me nevojën për uljen e numrit të deputetëve. Ky qëndrim i mazhorancës vjen pas 13 vitesh në pushtet, gjatë të cilave ajo ka refuzuar në mënyrë konstante çdo iniciativë për të miratuar ligjin që i hap rrugë referendumeve.

Taulant Balla nuk përjashtoi mundësinë që ligjet e reformës në drejtësi të jenë subjekt i referendumit dhe pikërisht si “Kali i Trojës”, që do përdorë Edi Rama për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ndëshkoi Elisa Spiropalin për mungesën në seancën ku u votua imuniteti i Belinda Ballukut, Taulant Balla paralajmëroi se grupi parlamentar do të diskutojë thyerjen e vendimit të grupit nga ana e ish-ministres së Jashtme.