GJKKO pranon Ndrecën si avokat të Veliajt edhe pas kundërshtimit të Dumanit...
Kreu i bashkisë së Tiranës nuk është paraqitur sot në seancën gjyqësore në GJKKO.
Sipas deklaratës së bërë nga vetë Veliaj, ai ka kërkuar të mos jetë i pranishëm në këtë seancë dhe të përfaqësohet nga avokati i tij i ri, ish-deputeti i PS-së Plarent Ndreca.
“Deklaroj se nuk dua të paraqitem sot në këtë seancë dhe dua të përfaqësohem nga avokati im Plarent Ndreca”, mësohet të jetë shprehur Veliaj.
Ndërkohë Prokurori i SPAK Altin Dumani ka reagur pas kërkesës së kryebashkiakut dhe ka kërkuar që Ndreca të mos pranohet si avokat.
Dumani: Lidhur me Erion Veliajn, kam marrë dijeni vazhdimisht. Ka kërkuar të mbrohet nga avokati Plarent Ndreca. Mendoj se gjykata duhet të procedojë pa prezencën e tij. Avokati Ndreca është pyetur për një fakt penal përkatës dhe mendoj se jemi në kushtet e papajtueshmërisë pasi është pyetur si person që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit.
Pra SPAK kërkon nga GJKKO që Ndreca të mos mbrojë Veliajn.
Avokati Plarent Ndreca ka reaguar pas prononcimit tw Dumanit duke thënë se “e parashikoja një kërkesë të tillë nga prokuroria”
Ndreca: Në vlerësim të këtij ligji, mendoj se nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Ligji parashikon qartë që deklarimet para OPGJ gjatë hetimit paraprak nuk përbëjnë provë.
Gazetari Fatjon Gjinaj mëson se, Gjykata ka legjitimuar Plarent Ndrecën si avokat të Erion Veliajt.
"Deri në këtë moment procedural nuk konstatohet ndonjë pengesë", është vlerësuar gjatë seancës.