Vedat Muriqi për FIFA-n: Mund të dal në pension i lumtur nëse Kosova arrin në Kupën e Botës
Sulmuesi 32-vjeçar, Vedat Muriqi, e sheh me optimizëm gjysmëfinalen e “play-off”-it evropian të kësaj jave ndaj Sllovakisë, ndërsa Kombëtarja e Kosovës synon për herë të parë një vend në Kupën e Botës.
Muriqi debutoi me Kosovën në vitin 2016, duke qenë pjesë e rrugëtimit të saj që nga fillimi. Gati dhjetë vjet më vonë, sulmuesi i Mallorca-s shpreson të realizojë ëndrrën për të luajtur në Botërorin 2026.
Për të arritur këtë objektiv, Kosova duhet të kalojë fazën eliminatore evropiane, duke nisur me sfidën gjysmëfinale jashtë fushe ndaj Sllovakisë. Një fitore do t’i siguronte një finale në shtëpi, në Prishtinë, përballë Turqisë ose Rumanisë.
Në një intervistë për FIFA-n, kapiteni i Kosovës theksoi rëndësinë e këtij momenti:
“Kemi vetëm dhjetë vjet si kombëtare dhe kjo, në futboll, është shumë pak. Jemi këtu për të dhënë maksimumin dhe për të luftuar për një vend në Kupën e Botës. Është një mundësi e madhe për ne dhe për gjithë vendin.”
Duke analizuar rrugëtimin në kualifikuese, ai pranoi se humbja ndaj Zvicrës ishte e vështirë:
“Pësuam katër gola për pak minuta dhe ishte një goditje e fortë. Por trajneri Franco Foda reagoi mirë, ndryshoi sistemin dhe ne u përmirësuam menjëherë.”
Muriqi vlerësoi edhe kundërshtarin e radhës, duke theksuar cilësinë e Sllovakisë dhe përvojën e trajnerit Francesco Calzona:
“Janë një ekip i fortë, me lojtarë cilësorë dhe organizim shumë të mirë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur.”
Sa i përket së ardhmes së tij, sulmuesi u shpreh i sinqertë:
“Të luaj për Kosovën në Kupën e Botës do të ishte mënyra perfekte për të mbyllur karrierën. Do të ndihesha i përmbushur dhe i lumtur.”
Ai shtoi se skuadra ka bërë progres të madh ndër vite dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë një kundërshtar shumë i fortë për çdo ekip.
Në planin personal, Muriqi po kalon një sezon të shkëlqyer në La Liga, ku ka shënuar 18 gola, duke konfirmuar formën e tij më të mirë në karrierë.