Senegali apelon në KAS për Kupën e Afrikës, sfidon vendimin që i dha titullin Marokut
Federata e Futbollit e Senegalit ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore pas vendimit të diskutueshëm që ndryshoi fatin e finales së Kupës së Afrikës. Të martën, FSF paraqiti një ankesë në Gjikatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS), duke kundërshtuar vendimin e Konfederatës Afrikane të Futbollit, që i hoqi titullin e fituar në fushë dhe ia atribuoi Marokut.
Vendimi për t’iu drejtuar KAS-it vjen disa javë pas përmbysjes së rezultatit të finales, një zhvillim që ka shkaktuar reagime të forta në kampin senegalez. Drejtuesit e federatës e konsiderojnë këtë një padrejtësi sportive dhe kanë vendosur të mbrojnë me çdo kusht atë që, sipas tyre, është fituar në mënyrë të rregullt në fushë.
Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të federatës, Moussa Mbaye, konfirmoi se çështja do të trajtohet me seriozitet maksimal nga ana ligjore. Ai theksoi se dosja do të ndiqet nga një avokat i specializuar në të drejtën sportive ndërkombëtare, i cili në të kaluarën ka fituar çështje të rëndësishme kundër vendimeve të CAF-it.
Federata u bëri thirrje tifozëve dhe opinionit sportiv që të ruajnë qetësinë gjatë procesit gjyqësor dhe të shmangin spekulimet, duke u bazuar vetëm në komunikimet zyrtare.
Objektivi i Senegalit është i qartë: rikthimi i titullit të fituar në fushë. Megjithatë, procedurat në KAS mund të zgjasin dhe një vendim përfundimtar nuk pritet në një afat të shkurtër, duke lënë çështjen ende të hapur në skenën e futbollit afrikan.