Botërori 2026 ka më pak kërkesa sesa pritej: FIFA anulon 2,000 dhoma hoteli në Filadelfia

Botërori i vitit 2026 po has surpriza të papritura në aspektin organizativ, sidomos për menaxhimin e akomodimeve në Shtetet e Bashkuara. FIFA ka vendosur të anulojë rreth 2,000 prenotime dhomash në Filadelfia, një nga qytetet pritëse të disa ndeshjeve të turneut, pasi fillimisht kishte bllokuar rreth 10,000 dhoma.

Këtë e bëri të ditur Shoqata e Hotelierëve lokalë. Presidenti Ed Grose, në një intervistë për ABC 6, tha se shumica e anulimeve kanë prekur katër hotele në qendër të qytetit. Vendimi është marrë brenda marrëveshjeve kontraktuale dhe pa asnjë penalitet për organizatorët, megjithëse nuk është dhënë një arsyetim zyrtar për këtë ndryshim.

Situata nuk kufizohet vetëm në Filadelfia. Grose njoftoi se procedura të ngjashme janë ndjekur edhe në qytete të tjera amerikane ku zhvillohen ndeshje të Botërorit. Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë kjo në çmimet e akomodimeve, por tifozët këshillohen të mos presin shumë për të bërë rezervimet e tyre.

Filadelfia do të presë gjashtë ndeshje të Kupës së Botës, përfshirë edhe një ndeshje të 1/8 të finales, të gjitha në stadiumin ‘Lincoln Field’. Në kalendar janë përfshirë sfida si Bregu i Fildishtë–Ekuador, Brazil–Hait, Franca kundër Bolivisë, Irakut ose Surinamit, si dhe Curacao–Bregu i Fildishtë dhe Kroacia–Ghana.

Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në Mexico City disa javë më parë, ku ishin anuluar rreth 800 nga 2,000 dhoma fillimisht të rezervuara. Atëherë, FIFA kishte shpjeguar se anulimet ishin bërë për arsye parashikuese dhe u reduktuan pasi u përcaktua më mirë nevoja reale. Organizatorët parashikojnë një prezencë totale prej 5 deri në 6.5 milionë tifozësh gjatë turneut.