Sneijder zbërthen finalen e Champions 2010: Si u tall Mourinho me Balotelli-n në finalen e Champions-it

Wesley Sneijder ka rikthyer kujtimet e tij nga periudha me Interin, duke zbuluar një detaj të pazakontë mbi finalen e Champions League të vitit 2010 dhe marrëdhënien mes José Mourinho-s dhe Mario Balotelli-t.

“Mungonin katër javë për mbylljen e sezonit dhe një ditë Mario u largua i zemëruar nga stërvitja. Unë u përpoqa ta qetësoja: ‘Mos e prish tani gjithçka, janë vetëm katër javë të tjera në këtë skuadër, mund të fitosh gjithçka’, por ai ishte i revoltuar: ‘Jo, mjaft, unë po largohem’”, rrëfen Sneijder.

Mourinho, i njohur si “Special One”, nuk u habit nga situata dhe kishte planin e tij. “Kur erdhi Mou, i thashë që Balotelli kishte ikur dhe se Mino Raiola e kishte marrë. Atëherë Mou më tha: ‘Ah, ka ikur? Do të jetë problem për të, ne do të fitojmë gjithçka dhe unë do ta ndëshkoj në finalen e Champions League, do ta shohësh’. Ai më shpjegoi se kishte vendosur që Balotelli të qëndronte në nxehje gjatë gjithë pjesës së dytë të ndeshjes dhe vetëm në minutat e fundit do të bëhej zëvendësimi duke futur Materazzi-n. Para finales informoi edhe Marco Materazzi-n për planin e tij”, shton Sneijder.

Përfundimisht, gjithçka shkoi sipas planit të Mourinho-s, gjë që vetë Balotelli e konfirmoi më vonë në një intervistë për Prime: “Fatkeqësisht, në finalen e Madridit, Mourinho nuk më lejoi të nisja ndeshjen titullar. Isha pak i zemëruar sepse gjatë javës së stërvitjes në Madrid, ai provonte një sulm me mua, Eto’o-në dhe Milito-n. Por dy ditë para ndeshjes ndryshoi vendimin. Jam i sigurt, jo 100%, por thuajse 98%, që do të kisha shënuar. Por nuk ka rëndësi, në fund fituam dhe kjo është ajo që ka më shumë vlerë. Ai mori vendimin e duhur për skuadrën.”