24 mars 1945/ Nga Prizreni nis marshimi i burrave dhe djemve shqiptarë që përfundojnë të masakruar në Tivar

Nga Avdullah Hoti/

Sot është një ditë e veçantë. Më 24 mars 1945, në orën 7 të mëngjesit, nis nga Prizreni marshimi i kolonës së parë të burrave dhe djemve shqiptarë, të rekrutuar dhunshëm nga vise të ndryshme të Kosovës, nga Shkupi, Tetova, Kumanova e vise të tjera, për t’u ndalur fillimisht në Shkodër dhe për të përfunduar të masakruar në Tivar. Kjo kolonë përcillet edhe me të tjera në ditët në vijim.

Ata nuk e dinin se do të përfundonin të masakruar. Por organizatorët e këtij marshimi, komunistët shqiptarë e jugosllavë, e dinin çfarë po bënin. Batalionet komuniste shqiptare e jugosllave kishin bashkëpunuar ngushtë për muaj të tërë për të shuar rezistencën shqiptare kundër regjimit jugosllav në Kosovë e Maqedoni. Pasi e shuan me gjak çdo rezistencë, projekti i tyre i radhës ishte të eliminonin çdo forcë kryengritëse të shqiptarëve kundër komunizmit, si në Shqipëri ashtu edhe në Jugosllavi.

Me një projekt mashtrues të mobilizimit për të luftuar forcat nazifashiste në vise të tjera jugosllave, të cilat në fakt ishin të mundura në atë kohë dhe ishin tërhequr, komunistët rekrutuan me dhunë mijëra shqiptarë dhe i grumbulluan në Prizren. Nga data 24 mars 1945 e në ditët në vijim, kolonë pas kolone, nisi marshimi i tyre drejt Shkodrës nën kërcënimin e armëve, për të përfunduar të masakruar në Tivar.

I përjetshëm kujtimi i tyre. U prehshin në paqe!