Ka gjykuar finalen Egnatia-Partizani, ky është ‘bilbili’ i ndeshjes Poloni-Shqipëri

Shqipëria do të përballet me Poloninë të enjten, më 26 mars, në orën 21:00, në ndeshjen vendimtare të play-off-it për Botërorin 2026. Ndërkohë, është bërë i njohur emri i gjyqtarit që do të drejtojë këtë përballje: anglezi Anthony Taylor.

Tejlor, 47-vjeç, i cili mban prej kohësh stemën e FIFA-s, ka një karrierë të pasur në futbollin ndërkombëtar dhe drejtimin e ndeshjeve të nivelit të lartë, përfshirë Premier Ligën, Champions League dhe Ligën e Europës. Ai gjithashtu ka arbitruar disa finale të rëndësishme, si finalja e Ligës së Europës mes Sevilla-s dhe Romës, finalja e FIFA Club World Cup 2022/2023 mes Real Madridit dhe Al-Hilal, finalja e UEFA Nations League 2020/2021 mes Spanjës dhe Francës, si dhe finalja e UEFA Super Cup 2020/2021, Bajern Mynich–Sevija.

Pjesë e karrierës së tij ishte edhe finalja e Superiores në vitin 2024, ku arbitroi ndeshjen Egnatia–Partizani, që përfundoi 1-0 në favor të rrogozhinasve, duke u shpallur kampionë për herë të parë në histori.

Taylor nuk do të jetë vetëm në këtë sfidë. Ai do të ketë pranë ndihmësit e tij të besuar, Geri Besuik dhe Adam Nun, të cilët gjithashtu ishin pjesë e stafit në finalen Egnatia–Partizani dhe që do të ndihmojnë në vendosjen e drejtësisë në fushën e lojës mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Me përvojën e tij të gjatë në ndeshje të rëndësishme dhe finale prestigjioze, Anthony Taylor pritet të garantojë një drejtësi të paanshme dhe të rregullt në këtë përballje vendimtare për Kombëtaren Shqiptare.