Droni hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë, kryeministrja: Agresioni rus në Ukrainë rrezikon gjithë rajonin

Një dron ushtarak që u rrëzua në Lituani të hënën vinte nga Ukraina dhe ishte drejtuar nga Rusia përpara se të humbiste rrugën, tha të martën kryeministrja e Lituanisë.

Ushtria e vendit baltik tha të hënën se një dron i dyshuar kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit dhe ishte rrëzuar në një liqen të mbuluar me akull rreth 20 km nga kufiri i Bjellorusisë.

 “Ky nuk është një incident lokal, kjo është pjesë e një tabloje më të gjerë sigurie. Agresioni rus kundër Ukrainës krijon rreziqe shtesë për të gjithë rajonin”, tha kryeministrja Inga Ruginiene në një konferencë për shtyp të hënën.

Lituania vitin e kaluar i kërkoi NATO-s më shumë mbrojtje ajrore pasi dronët ushtarakë nga Bjellorusia zbarkuan në territorin e saj dy herë në korrik 2025. Inteligjenca lituaneze tha më parë këtë muaj se të dy dronët kishin hyrë aksidentalisht në Lituani.