Tragjedia në Manchester, nipi i legjendës së Man. United humbi jetën për shkak të gabimit të një infermiereje
Një tragjedi e rëndë ka tronditur familjen e Steve Bruce dhe komunitetin e futbollit në Angli, pasi nipi i tij katër muajsh, Madison Bruce Smith, ndërroi jetë pas vendosjes në një pozicion të pasigurt gjumi (mbi bark) nga një infermiere e papërgatitur.
Madison u gjet pa shenja jete nga babai i tij, ish-sulmues i Leeds United dhe Fulhamit, Matt Smith, më 18 tetor 2024 në mëngjes në shtëpinë e tyre në Trafford. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, foshnja nuk mund të ringjallej dhe u shpall i vdekur në spitalin Wythenshawe.
Prindërit, Matt Smith dhe Amy Bruce, vajza e Steve Bruce, kishin punësuar infermieren Eva Clements për të ndihmuar foshnjën që kishte vështirësi me gjumin. Ata besonin se Clements, e punësuar nga kompania Ruthie Maternity Services, ishte plotësisht e trajnuar dhe e verifikuar.
Megjithatë, gjykata në Stockport-it zbuloi se as kompania dhe as infermierja nuk ishin të rregulluara sipas standardeve mjekësore. Ruth Asare, drejtuesja e Ruthie Maternity Services, pranoi se nuk kishte kualifikime mjekësore dhe posedonte vetëm një certifikatë të ndihmës së parë dhe një diplomë Nivel 2 në kujdesin post-natal. Diploma e saj ishte marrë përmes një kursi treditor dhe një projekti gjashtëmujor, sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë.
Ky rast ka ngjallur shqetësim të madh mbi rregullimin e shërbimeve të kujdesit të foshnjave dhe ka nxjerrë në pah rreziqet e punësimit të infermierëve të paautorizuar, duke theksuar nevojën për monitorim të rreptë të personelit që kujdeset për fëmijët.