Nafta mbi 200 lekë, fermerët e Sheqerasit në krizë: Kosto të larta dhe fitime minimale

Rritja e çmimit të naftës mbi 200 lekë të reja po godet drejtpërdrejt fermerët e zonës së Sheqerasit në Bashkinë Maliq, duke i vendosur përballë kostove të papërballueshme në një nga periudhat më të rëndësishme të punës në bujqësi. Shtrenjtimi i karburantit, i shoqëruar me rritjen e çmimeve të plehrave kimike dhe farërave, po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin normal të aktivitetit në ara.

Tomorr Prrenjasi e përshkruan situatën si të pashpresë, duke theksuar se me këto çmime fermerët nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet minimale dhe se bujqësia nuk është më një burim jetese.

Ai paralajmëron se shumë prej tyre po mendojnë të shesin mjetet dhe të largohen nga vendi.

Ilirjan Limka shprehet se puna në tokë nuk siguron më të ardhura të mjaftueshme as për familjen, ndërsa mungesa e mbështetjes nga institucionet e ka përkeqësuar gjendjen. Sipas tij, shumë traktorë kanë mbetur të parkuar, pasi përdorimi i tyre nuk justifikohet ekonomikisht.

Mirdash Ocka thekson se fitimi nga puna me traktor është zhdukur pothuajse tërësisht, pasi të ardhurat shkojnë vetëm për të përballuar naftën. Ai shton se në këto kushte është i detyruar të reduktojë aktivitetin dhe të mendojë alternativa më të thjeshta pune.

Ndërkohë, Demir Zholanji nënvizon se fermerët ndodhen në një moment kritik për shkak të sezonit të mbjelljeve, ku puna nuk mund të ndalet pavarësisht kostove të larta.

Ai kërkon ndërhyrje dhe mbështetje konkrete, pasi rritja e çmimeve në çdo hallkë të prodhimit po i dëmton rëndë.

Në qarkun e Korçës numërohen mbi 4,814 mjete bujqësore, ku pjesa më e madhe operon në fushën e Maliqit.

Gjatë kësaj periudhe, fermerët janë të angazhuar në katër procese kryesore pune: plugimin e tokës, diskimin dhe frezimin, si dhe mbjelljen e kulturave të ndryshme si misri, qepa, patatja, fasulet dhe bimët foragjere për blegtorinë.

Në përgjithësi, fermerët e kësaj zone përballen me një krizë të thellë ekonomike, ku rritja e vazhdueshme e kostove dhe mungesa e mbështetjes po rrezikojnë seriozisht të ardhmen e bujqësisë.