'Kriza ekonomike i detyron të braktisin tokën', fermeri: Do shes gjithçka e do iki në Itali, këtu ka mbaruar
Kostoja e lartë e prodhimit, çmimi i shtrenjtë i naftës dhe pasojat e përmbytjeve i kanë çuar fermerët shqiptarë në prag të mbijetesës, duke i detyruar të mendojnë braktisjen e tokës dhe të zanatit.
Në deklarate për Syri Televizion, një fermer që punon rreth 35 hektarë tokë shprehet se me këto kushte është e pamundur të vazhdohet. “Me këtë kosto ne nuk mund të bëjmë asnjë gjë.
"Vetëm sa shkojmë gropë,” thotë ai, duke paralajmëruar se zgjidhja e vetme duket të jetë shitja e bagëtive dhe e gjithçkaje për të kërkuar një të ardhme tjetër, ndoshta në emigracion.
Pavarësisht skemave të qeverisë, si ajo për naftën pa akcizë, fermeri e cilëson këtë ndihmë si “të papërfillshme komplet”, e cila nuk arrin të lehtësojë barrën e madhe financiare.
Situata është aq dramatike, saqë për të siguruar paratë e nevojshme për të punuar tokën, ai detyrohet të kërkojë ndihmë nga fëmijët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. “Na ka ngelur duke marrë lekë te kalamajtë në Itali. Vetëm për naftë, për të punuar tokat,” shpjegon ai, duke treguar se ndihma nga diaspora nuk shkon për investime, por për të mbuluar shpenzimet minimale të mbijetesës.
I pyetur nëse bujqësia është ende fitimprurëse në Shqipëri, përgjigja e tij është therëse dhe përfundimtare: “Këtu ka mbaruar bujqësia. Në vende të tjera është duke u përparuar përditë, por këtu ka mbaruar.” Ky është alarmi i një sektori jetik për ekonominë, i cili po përballet me një krizë të thellë që rrezikon ta shuajë plotësisht.
Deklarata e banorëve:
Për zotin të them, jemi të mbaruar. Na kanë mbaruar. Me përmbytje, me nafta e shtrenjtë e me të gjitha.
Me këtë kosto ne nuk mund të bëjmë asnjë gjë.
Unë kam 30 hektarë tokë. Edhe 35. Po me këtë çmim nuk mund të bëjmë asnjë gjë. Vetëm se shkojmë gropë atë poshtë.
Do shesim gjëtarët e gjitha, e do të bëjmë një gjë tjetër se kështu nuk mund të ecim. Do ikim në Itali, te kalamajtë. S'kemi ç'të bëjmë më këtu.
Për zotin të them, na ka ngelur duke marrë lekë te kalamajtë në Itali, e ku i kemi, gjithandej, në krejt botën. Ata bien një herë e dy e s'bien më, se ata kanë problemet e veta, hallet e veta. E ne veç kur të lëmë këtë punë.