Milani synon Goretzka-n për mesfushën, Tare përgatit ofensivën në merkato

Milani është në kërkim të një mesfushori të nivelit të lartë dhe emri kryesor në listë është Leon Goretzka. Mesfushori 31-vjeçar, aktualisht pjesë e Bayern-it të Mynihut, është në fund të kontratës dhe kuqezinjtë kanë nisur lëvizjet për ta bindur.

Drejtori sportiv, Igli Tare, ka punuar prej muajit janar për të paraprirë konkurrencën, ndërsa javët në vijim pritet të jenë vendimtare për një ofertë konkrete. Goretzka shihet si profili ideal për trajnerin Massimiliano Allegri, një lojtar që do të rriste ndjeshëm cilësinë dhe forcën në mesfushë.

Megjithatë, gara për shërbimet e tij është e fortë. Në Itali interesim kanë shfaqur edhe Interi dhe Juventusi, ndërsa në arenën ndërkombëtare në garë janë Atletico Madrid dhe Arsenal. Për ta bindur lojtarin, Milani do të duhet të paraqesë një ofertë të rëndësishme financiare, me një pagë rreth 6-7 milionë euro në sezon plus bonus nënshkrimi, duke pasur parasysh se te Bayerni ai përfitonte rreth 9 milionë euro në vit.

Ndërkohë, kuqezinjtë nuk ndalen vetëm te mesfusha. Në repartin e mbrojtjes, objektivi kryesor mbetet Mario Gila i Lazio-s. Mbrojtësi spanjoll ndiqet edhe nga Aston Villa, që mund të ofrojë rreth 25 milionë euro, pavarësisht se kontrata e tij skadon pas një sezoni.

Milani synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm, me përforcime cilësore në çdo repart.