Pistons ndalin Lakers, Oklahoma vazhdon serinë perfekte, Warriors triumfojnë pas shtesës
Një natë spektakolare në NBA solli emocione dhe rezultate të rëndësishme në të dy konferencat. Detroit Pistons arritën një fitore të madhe 113-110 ndaj Los Angeles Lakers, në një duel të fortë mes skuadrave pretendente. Protagonist për vendasit ishte Cade Cunningham me 30 pikë, ndërsa 32 pikët e Luka Dončić nuk mjaftuan për kalifornianët.
Vazhdon formën fantastike Oklahoma City Thunder, që regjistruan fitoren e dhjetë radhazi duke mundur 123-103 Philadelphia 76ers në transfertë. Më i dalluari ishte Shai Gilgeous-Alexander me 22 pikë. Fitore bindëse arritën edhe San Antonio Spurs, që mposhtën 136-111 Miami Heat, me një paraqitje dominante nga Victor Wembanyama (26 pikë e 15 rebound).
Spektakël ofroi edhe sfida mes Golden State Warriors dhe Dallas Mavericks, ku Warriors fituan 137-131 pas kohës shtesë, falë kontributit të madh të stolit me 61 pikë.
Fitore të rëndësishme morën edhe Chicago Bulls, që triumfuan 132-124 ndaj Houston Rockets me shtatë lojtarë me shifra të dyfishta, si dhe Los Angeles Clippers, që shkatërruan 129-96 Milwaukee Bucks, me Kawhi Leonard autor të 28 pikëve.
Rezultate të tjera: Indiana fitoi 128-126 ndaj Orlandos, Atlanta dominoi 146-107 Memphis, Toronto mposhti 143-127 Utah Jazz, ndërsa Portland kaloi lehtësisht 134-99 Brooklyn.