Anëtari i KLP kërkonte pranga: A do t’ia vendosë ato drejtësia që promovoi?
Nga Elton Qyno/
Sapo pashë një material investigativ të publikuar nga emisioni “Stop”, ku kolegu Genci Angjellari dhe drejtuesi i emisionit Saimir Kodra i paraqitën shqiptarëve Këshillin e Lartë të Burdellit.
Një duartrokitje profesionale për guximin dhe trajtimin me kurajo të rastit.
Megjithëse, si gazetar hulumtues mbi çështjet e prokurorisë, ndjej xhelozi profesionale që një skandal të tillë nuk arritëm ta zbulojmë ne, gazetarët e derës së SPAK.
E marr me mend se sa shumë ndërhyrje, oferta, intimidime dhe presione mund të keni pasur gjatë përgatitjes me korrektësi të këtij materiali.
Por materiali që ju publikuat dhe ia treguat shqiptarëve tregoi qartë se cenimi i besimit të publikut (që këta gjoja e kanë me shumë merak) jo vetëm që u shkel dhe u nëpërkëmb, por në këtë rast u përdhunua nga zyrat e shtetit, nga zyrat e kupolës së drejtimit të Prokurorisë Shqiptare, aty ku emërohen dhe shkarkohen prokurorë, aty ku zgjidhet kreu i SPAK, aty ku bëhen politika penale dhe konstruktive mbi qasjen e sistemit të drejtësisë me qytetarin, e pordhë me rigon nga këto.
Materiali tregoi se media nuk kishte për qëllim ndryshimin e perceptimit të publikut për organet e pseudo-drejtësisë së re (siç e kanë zakon të thonë këta), por dhënien e një të vërtete ulëritëse.
Një të vërtete që, siç mësova më vonë, shumë persona u përpoqën ta mbyllnin, duke u impenjuar maç e muç, e deri tek “Ajka e Drejtësisë” që po lufton krimin dhe korrupsionin.
Anëtari i KLP-së donte të ndizhej në zyrë me qytetaren ankuese. Madje kërkonte pranga, kamxhikë dhe Viagra, se ashtu e kishte zakon që nga koha e vjetër, edhe me një punonjëse burgu të Korçës, të cilës ia mbylli dosjen.
Një situatë apokaliptike në drejtësi. Dhe të mendosh se kush emëron nivelin më të lartë të prokurorëve. Disave u zë e mira sytë dhe nuk e dinë çfarë bëjnë.
Ja kjo është historia dhe e vërteta që organet e drejtësisë në Shqipëri janë kthyer në “ishuj privatë” të X-it, Ypsilonit, Enverit dhe Ramizit, dhe këta individë mendojnë se bëjnë gjithçka me jetën e njerëzve.
Kjo është prova që tashmë organet e drejtësisë të merren me organet e anëtarit të KLP-së Olger Eminaj, pasi praktikat ligjore i kanë të qarta që nga gjyqtari i Fierit, Roland Hysi, Guximtar Boçin, e deri tek Safet Gjici.
Tashmë, SPAK ndodhet në dilemën e madhe nëse do arrijë të vendosë masë sigurimi për anëtarin e KLP-së në ditët në vijim apo jo.
Anëtari i KLP-së, gjatë bisedës, kërkonte pranga; të shohim a do t’ia servirë prangat drejtësia që ai promovoi dhe votoi.