'Shqipëria ka rrëshqitur në autokraci elektorale'/ Boçi: Protestat pa ndërprerje, rruga për të sfiduar regjimin
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçvi, në një postim në rrjetet sociale, deklaroi se Shqipëria nuk është më thjesht një demokraci e dobët, por ka kaluar në autokraci elektorale.
Ai bazohet në raportin ndërkombëtar V-Dem (Varieties of Democracy), i cili mat nivelin real të demokracisë në çdo vend.
Sipas Boçit, në këtë sistem:
• Zgjedhjet janë thjesht fasadë.
• Shteti nuk i përket qytetarëve, por partisë.
• Administrata shndërrohet në vegël presioni, institucionet në zgjatim të pushtetit, dhe ligji në maskë.
Deputeti paralajmëron se autokracitë elektorale janë regjime moderne që nuk kërkojnë më të bindin, por të kontrollojnë. Ai thekson se Shqipëria ka nevojë të çlirohet nga kapja e shtetit nga partia dhe jo për më shumë propagandë, ndërsa thekson rolin e protestave pa ndërprerje si mjet për të sfiduar këto regjime.
Postimi i plotë:
SHQIPËRIA-KJO AUTOKRACI ELEKTORALE
V-Dem, “Varieties of Democracy”, është raporti ndërkombëtar më prestigjoz që mat nivelin real të demokracisë në çdo vend.
Dhe për Shqipërinë, diagnoza është alarmante.
Shqipëria nuk është më thjesht një demokraci e dobët.
Shqipëria ka rrëshqitur në autokraci elektorale, aty ku zgjedhjet janë fasadë dhe shteti nuk është më i qytetarëve.
Është i partisë.
Kur partia dhe shteti bëhen një, vota kthehet në formalitet, administrata në vegël presioni, institucionet në zgjatim të pushtetit dhe ligji në maskë.
Kjo është fytyra e një regjimi që nuk kërkon më të bindë, por të kontrollojë.
Shqipëria sot nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Ka nevojë të çlirohet nga kapja e shtetit nga partia.
Dhe pa iluzione!
Autokracitë elektorale janë regjime moderne.
Ato shemben me protesta pa ndërpreje!
(Shiheni hartën dhe shpërndajeni)