Ministri izraelit kërkon zgjerimin e kufirit deri në lumin Litani të Libanit

Izraeli duhet të zgjerojë kufirin e tij me Libanin deri te lumi Litani, thellë në jug të vendit, deklaroi të hënën ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë sulmet ajrore dhe shkatërrimin e urave e shtëpive në zonë.

Komentet e Smotrich janë ndër më të drejtpërdrejtat deri tani nga një zyrtar i lartë izraelit për marrjen e territorit libanez, në një luftë që Izraeli thotë se synon militantët e Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

Libani u përfshi në konfliktin rajonal më 2 mars, kur Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit. Që atëherë, Izraeli ka urdhëruar evakuimin e të gjithë banorëve në jug të lumit Litani, duke e bombarduar zonën me sulme ajrore dhe duke e konsideruar atë si bastion të Hezbollahut.

Autoritetet libaneze thonë se sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë vrarë më shumë se 1,000 persona dhe kanë detyruar mbi një milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi Izraeli ka urdhëruar evakuime masive në disa zona të vendit.

Smotrich deklaroi në një program radiofonik se fushata ushtarake në Liban “duhet të përfundojë me një realitet krejtësisht ndryshe”, duke përfshirë jo vetëm dobësimin e Hezbollahut, por edhe ndryshimin e kufijve të Izraelit.

“E them qartë në çdo takim dhe në çdo diskutim: kufiri i ri i Izraelit duhet të jetë Litani,” tha ai.

Smotrich, lider i një partie të vogël të ekstremit të djathtë në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, shpesh bën deklarata që shkojnë përtej politikës zyrtare të Izraelit.

Zyra e Netanyahut nuk ka komentuar menjëherë këto deklarata, ndërsa ministri i Mbrojtjes Israel Katz kishte paralajmëruar më herët këtë muaj se Libani mund të përballet me “humbje territori” nëse nuk çarmatos Hezbollahun.