‘Parlamenti i narkomanëve’/ Aktivisti thirrje intelektualëve dhe klerikëve: Po tradhtoni misionin tuaj

Gjatë protestës së opozitës të mbajtur para Kryeministrisë, aktivisti Blerim Vakaj ka mbajtur fjalën e tij, ku ka sulmuar qeverinë dhe ka bërë një thirrje të veçantë për elitat intelektuale dhe artistike të vendit, që të mos pranojnë narkoregjimin e Edi Ramës.

Nga foltorja para Kryeministrisë, Vakaj e cilësoi Kuvendin e Shqipërisë si "parlamentin e narkomanëve" dhe akuzoi intelektualët se po dështojnë në misionin e tyre ndaj popullit.

Vakaj me profesion ekonomist, artist dhe shkrimtar, e nisi fjalën e tij me një mesazh ironik ndaj kryeministrit Edi Rama, ku deklaroi me shaka se kishte frikë se kritikat e vazhdueshme mund t'i sillnin një propozim për post zëvendësministri, një ofertë që ai e refuzoi kategorikisht.

Ai e krahasoi tubimin e protestuesve para Kryeministrisë me "parlamentin e vërtetë të shqiptarëve", në kontrast me atë që ai e quajti "parlamentin e narkomanëve", duke iu referuar maxhorancës qeverisëse.

Një thirrje të drejtpërdrejtë Vakaj e bëri dhe për udhëheqësit shpirtërorë, teologët, intelektualët, artistët dhe njerëzit e fjalës, që sipas tij, këto grupe nuk po e përmbushin misionin e tyre historik.

Ai argumentoi se misioni i tyre nuk është thjesht të çojnë njerëzit në kisha e xhamia, të shkruajnë libra për biblioteka apo të vënë në skenë komedi të paguara me paratë e popullit.

"Misioni i tyre është të jenë të vërtetë me njerëzit, me popullin," deklaroi ai, duke i akuzuar për heshtje dhe mosreagim ndaj situatës aktuale.

Vakaj:  Mirëmbrëma. Ju përshëndes të gjithëve.

I nderuari doktor Berisha, të nderuar deputetë, anëtarë, simpatizantë të Partisë Demokratike, të nderuar qytetarë dhe njerëz të lirë të medias.

Si fillim, kam një mesazh për ata numrat 0900, të cilët na numërojnë se sa jemi.

Ky quhet parlamenti i shqiptarëve dhe atje nuk është parlamenti i shqiptarëve, po është i narkomenëve.

Ka shumë të tjerë që janë nëpër shtëpitë e tyre, janë kudo që na ndjekin, me shpirt janë këtu, me zemër janë këtu.

Po situatat janë të tilla që dikush vjen, dikush ka çështje të tjera familjare.

Unë jam Blerim Vakaj, profesionist në ekonomi, artist, shkrimtar dhe pjesë e departamentit Brain Gain.

Të marr fjalën këtu nuk e shoh si privilegj, por e shoh si përgjegjësi ndaj të vërtetës, ndaj shqiptarëve. Sonte nuk do humbas kohë të merrem me Edi Ramën, sepse merren të gjithë ata nëpër rrjetet sociale, nëpër kafe, kudo.

Dihet për çfarë merren dhe çfarë thonë.

Pavarësisht se udhëheq ai, shqiptarët reagojnë, shqiptarët e kundërshtojnë, shqiptarët janë kundër regjimit të tij.

Pastaj kam edhe një frikë tjetër se duke folur vazhdimisht kundër tij, kam hallin se po më propozon ndonjë post zëvendësministri, sikur ja u propozon këtyre të tjerëve, kështu që, faleminderit, nuk e dua.

Kjo ishte për shaka.

Nuk dua të flas as për naftën 2200, as për shportën e papërballueshme të shqiptarëve, nuk dua të flas as për të gjitha vështirësitë që i ka secili nëpër gjykata, nëpër spitale. Nuk dua të flas për këto sepse flisni të gjithë.

Jo këtu, po të gjithë shqiptarët.

Por sot kam një thirrje të veçantë për udhëheqës shpirtërorë, për teologë, për intelektualë, për artistë, për njerëz të fjalës, për njerëz që pretendojnë që mbajnë intelektualizmin në Shqipëri ose frymën e një populli.

Ata të cilët nuk po e kryejnë misionin e tyre.

Misioni i atyre nuk është vetëm t'i çojnë njerëzit nëpër xhamia, nëpër kisha. Misioni i intelektualëve nuk është që të bëjnë libra edhe t'i vendosin nëpër biblioteka.

Misioni i artistëve nuk është të bëjnë një komedi dhe një dramë të paguar me lekët e popullit edhe bëjnë sikur ça po bëjnë.

Misioni i tyre është të jenë të vërtetë me njerëzit, me popullin.

E meqënëse jam besimtar, goxha besimtar, dua të prek një histori që përmendet edhe në Ungjill edhe në Kuran. Është historia e Talutit.

Për t'ju treguar se si fitohet beteja.

Pasardhësit e Moisiut u dobësuan, u shporrën nga vendi edhe kërkuan një mbret.