Foda beson te mrekullia në Bratislavë: Do luftojmë për fitoren me Sllovakinë
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka dhënë sinjale të qarta besimi para sfidës vendimtare ndaj Sllovakisë, duke theksuar se skuadra e tij është gati për të luftuar për një vend në finale.
Në prag të gjysmëfinales së “play-off”-it për Botërorin 2026, tekniku vuri në dukje se ekipi është i përgatitur dhe i vetëdijshëm për vështirësinë e kundërshtarit.
Sipas tij, Sllovakia është një skuadër me cilësi, sidomos në menaxhimin e lojës me topin, por kjo nuk e zbeh aspak besimin te Kosova.
Foda theksoi se objektivi është i qartë: arritja në finale.
Ai bëri të ditur se ditët në dispozicion do të shfrytëzohen maksimalisht për përgatitje, ndërsa ndeshja në Bratislavë shihet si një mundësi e madhe për të shkruar histori.
Megjithatë, Kosova do të përballet me disa mungesa të rëndësishme.
Kapiteni Amir Rrahmani dhe mesfushori Leon Avdullahu do të mungojnë, por trajneri u shpreh i bindur se skuadra ka alternativa të mjaftueshme për t’i zëvendësuar.
Ai përmendi emra si Elvis Rexhbeçaj, Florent Muslija dhe Lindon Emërllahu si lojtarë që mund të marrin përgjegjësi në këtë përballje. Sipas tij, ekipi ka treguar edhe më parë se di të reagojë në situata të vështira.
Foda vlerësoi edhe progresin e vazhdueshëm të skuadrës, duke theksuar se që nga ardhja e tij, Kosova ka bërë hapa përpara dhe tani ndodhet shumë pranë një arritjeje historike.
“Duhet të jemi të bashkuar nga minuta e parë dhe të japim gjithçka në fushë”, u shpreh ai, duke shtuar se ndeshja mund të vendoset në çdo detaj, madje edhe pas 120 minutash apo penalltive.
Në fund, trajneri nuk harroi të falënderojë tifozët “Dardanët”, të cilët sipas tij janë një forcë shtesë për ekipin dhe e bëjnë Kosovën të ndihet si në shtëpi edhe në transfertë.
Mesazhi është i qartë: Kosova shkon në Bratisllavë me besim të plotë dhe me synimin e vetëm – fitoren dhe finalen.