‘Rimblidhemi aty ku rreh zemra jonë, në Kosovë!’/ ‘Dardanët’ të karikuar për ‘play-off’-in me Sllovakinë

Yjet e Kombëtares së Kosovës kanë zbarkuar sot në Prishtinë.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka publikuar një video ku shihen disa prej futbollistëve kryesorë të Dardanëve që kanë përfunduar në hotelin ku akomodohet zakonisht Kombëtarja.

“Rimblidhemi në shtëpi. Aty ku rreh zemra jonë, në Kosovë”, shkroi shtëpia e futbollit kosovar.

Futbollistët u pritën nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe nga drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, ndërsa u takuan edhe me selektorin Franco Foda, i cili paraprakisht sot e mbajti një konferencë për shtyp.

Kosova do të luajë të enjten me Sllovakinë në gjysmëfinale të “play-off”-it të Botërorit, ndërsa eventualisht do ta luajë finalen e madhe në stadiumin “Fadil Vokrri” me fituesin mes duelit Turqi – Rumani.

Dardanëet do të përgatiten në tri ditët në vazhdim në Kosovë para se ta marrin rrugën drejt Sllovakisë, ku do të shkojnë për ta bërë historinë.