Trump: Paqe afatgjatë nëse ka një marrëveshje me Iranin, nëse jo do të vazhdojmë bombardimet

Donald Trump ka reaguar sërish pas deklaratës së Teheranit se nuk ka pasur kontakte me SHBA-në.

Ai tha se bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po tregojnë përparim të konsiderueshëm.

Presidenti amerikan tha se në konsultime morën pjesë të dërguarit e SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke vënë në dukje se janë arritur  “pika të rëndësishme marrëveshjeje” dhe se bisedimet janë zhvilluar “në mënyrë perfekte”.

Siç tha ai, bisedimet u zhvilluan një ditë më parë dhe vazhduan deri vonë natën.

Ata me të vërtetë duan të bëjnë një marrëveshje. Ne duam të bëjmë një marrëveshje. Ndoshta do të komunikojmë përsëri sot, ndoshta me telefon, sepse është e vështirë për ta të lëvizin”, tha Trump, duke iu referuar vazhdimit të negociatave.

“Ne duam paqe edhe për Izraelin. Jeta ime është ndërtuar mbi marrëveshje. Besoj se kjo do të ndodhë në kohën e duhur. Ata prisnin që ne të bombardonim termocentralin e tyre më të madh nesër në mëngjes. Unë nuk i telefonova, ata na telefonuan dhe thanë se donin të bënin një marrëveshje me ne”, tha ai.

I pyetur se me kë po bisedonte SHBA-ja në Iran, Trump u përgjigj: “Një person i lartë. Mos harroni: Ne kemi eliminuar udhëheqjen në fazën e parë dhe të dytë”.

Duke iu referuar konfliktit me Iranin, presidenti amerikan vuri në dukje se nëse bisedimet përfundojnë pozitivisht, “çështja do të zgjidhet”, duke paralajmëruar se nëse nuk ndodh bombardimet do të vazhdonin.

Nëse gjithçka shkon mirë, ne do të arrijmë një marrëveshje. Përndryshe, ne do të vazhdojmë bombardimet”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Presidenti theksoi se çdo marrëveshje do të kërkonte që Irani të mos pajiset me një bombë bërthamore.

Ne nuk duam të shohim asnjë bombë bërthamore, asnjë armë bërthamore”, tha ai, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të pajisen me uraniumin e pasuruar shumë të Iranit.

Trump tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kishin folur me Izraelin “pak kohë më parë”.

I pyetur nëse Izraeli do t’i përmbahej ndonjë marrëveshjeje armëpushimi me Iranin, Trump tha: “Mendoj se Izraeli do të ishte shumë i lumtur me atë që kemi. Paqe afatgjatë, paqe e garantuar nëse kjo ndodh.”

SHBA-të synojnë një ndryshim ‘shumë serioz’ të regjimit në Iran

Do të ketë një “formë shumë serioze të ndryshimit të regjimit” në Iran sipas planeve të Uashingtonit, tha gjithashtu Donald Trump.

I pyetur se kush do të kishte kontrollin e Ngushticës së Hormuzit në çdo zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit, ai tha: “Ndoshta unë, unë dhe… kushdo që të jetë ajatollahu i ardhshëm”, tha ai, duke shtuar: “Shikoni, do të ketë gjithashtu një formë, një formë shumë serioze të ndryshimit të regjimit”.

Kemi të bëjmë me disa njerëz që mendoj se janë shumë të arsyeshëm, shumë të qëndrueshëm. Njerëzit brenda e dinë se kush janë. Ata janë shumë të respektuar. Ndoshta njëri prej tyre është pikërisht ai që po kërkojmë.”