Prokurori i mbështetur nga Sorosi në qendër të skandalit: akuza për takime sekrete dhe manipulim drejtësie

Një çështje penale e lidhur me trazirat pas vrasjes së George Floyd-it në vitin 2020 në Austin të Teksasit, po kthehet në një debat më të gjerë publik, ndërsa organizata të njohura të forcace të rendit kërkojnë dorëheqjen e prokurorit të mbështetur nga Sorosi, duke e akuzuar për sjellje të papërshtatshme, koordinim politik dhe fshehje të provave të rëndësishme.

Avokatët e oficerit të Policisë së Austin-it, Chance Bretches, kanë paraqitur një kërkesë në gjykatën e qarkut Travis për rrëzimin e çështjes ndaj tij, duke pretenduar se prokurorët e zyrës së prokurorit Jose Garza kanë shkelur të drejtat kushtetuese të oficerit dhe kanë cenuar integritetin e procesit gjyqësor, pasi nuk kanë zbuluar komunikime të dyshuara të zhvilluara prapa skenave me zyrtarë të Austin-it lidhur me mundësinë që qyteti ose drejtues të policisë të mbaheshin penalisht përgjegjës për plagosjen e protestuesve.

Bretches përballet me akuza për sulm të rëndë nga një zyrtar publik pasi ishte dislokuar si pjesë e një operacioni për kontrollin e turmës gjatë trazirave të vitit 2020, ku policia u përpoq të shpërndante protestuesit dhe të rivendoste rendin në qendër të Austin-it. Avokatët e tij argumentojnë se ai përdori municione “më pak vdekjeprurëse” të tipit beanbag, të shpërndara nga departamenti, të cilat më vonë u vunë në pikëpyetje, duke pretenduar se vetë pajisjet ishin me defekt dhe kontribuan në plagosjet në fjalë.

Sipas avokatit të Bretches, “takimet sekrete” me zyrtarë të Austin-it lidhur me përgjegjësinë e qytetit për municionet e dëmtuara beanbag, që shkaktuan më shumë dëme sesa ishte parashikuar, ishin informacione që prokuroria ishte “e detyruar t’ia dorëzonte” mbrojtjes, pasi tregonin bindjen dhe mundësinë që qyteti të kishte “përgjegjësi penale” në këtë rast.

Kërkesa mbështetet në dy deklarata nën betim: njëra nga një ish-menaxher i qytetit të Austin-it, i cili thotë se është takuar disa herë personalisht me Garzan dhe prokurorët në vitin 2023 për të diskutuar akuza të mundshme kundër qytetit; dhe tjetra nga një ish-anëtare e këshillit bashkiak, e cila thotë se kishte dijeni për komunikime të brendshme që tregonin se zyra e prokurorit po shqyrtonte akuza të tilla.

“Prokurorët mund të takohen me këdo, nuk ka asgjë të paligjshme në këtë,” tha për Fox News Digital avokati i Bretches, Doug O’Connell. “Problemi në këtë rast është se prokurori mendonte se kishte prova të mjaftueshme për të paditur qytetin si një entitet korporativ, gjë që do ta bënte qytetin një të dyshuar alternativ ose një bashkë-të-pandehur të paakuzuar.”

O’Connell argumenton se Garza aktivizoi detyrimet për zbulimin e provave sipas precedentit Brady kundër Maryland, i cili kërkon që prokurorët t’i dorëzojnë mbrojtjes prova që mund të shfajësojnë të akuzuarin.

“Nëse ndiqet kjo logjikë, atëherë baza e aktakuzës së tij ndaj qytetit, e cila nuk u realizua kurrë, është në fakt Brady,” tha O’Connell. “Edhe nëse ai mendonte se kishte prova të mjaftueshme dhe më pas vendosi se nuk kishte, ajo përsëri mbetet Brady. Është shkelje e ligjit Michael Morton, shkelje e urdhrit të gjykatës dhe e të drejtave kushtetuese të të pandehurit.”

Ligji Michael Morton, një ligj i Teksasit i miratuar pas një rasti dënimi të padrejtë, kërkon që prokurorët t’i dorëzojnë mbrojtjes shumicën e provave që kanë në zotërim, përfshirë informacionet që mund të jenë në favor të të akuzuarit.

O’Connell thotë se ligji kërkon që “provat lehtësuese dhe shfajësuese” t’i jepen mbrojtjes.

“Është e qartë se ata nuk dorëzuan provat që shpjegonin pse mendonin se mund të padisnin qytetin, dhe qyteti ishte aq i shqetësuar sa punësoi avokatin e vet penal,” tha ai. “Pra, njëra nga dy gjërat është e vërtetë: ose ai kishte prova dhe nuk na i dha, ose nuk kishte asnjë bazë për të paditur qytetin dhe thjesht po i kërcënonte, gjë që gjithsesi do të përbënte abuzim zyrtar.”

Dy nga organizatat më të njohura policore në zonë, Combined Law Enforcement Associations of Texas (CLEAT) dhe Austin Police Retired Officers Association (APROA), reaguan ndaj kërkesës duke i bërë thirrje Garza-s, i akuzuar prej kohësh për qëndrime armiqësore ndaj policisë, të japë dorëheqjen nga posti i prokurorit kryesor të qarkut.

“Kjo është pika e fundit, pas gjithçkaje që ka ndodhur me ndjekjet penale politike të vazhdueshme ndaj oficerëve të policisë së Austin-it që thjesht po bënin detyrën e tyre,” tha Farris për Fox News Digital, duke iu referuar letrës zyrtare të APROA-s që kërkon largimin e Garza-s, hera e parë që organizata e bën një kërkesë të tillë, pavarësisht kritikave të mëparshme.

Garza është përballur prej vitesh me kritika publike për mënyrën si trajton policët dhe nga familjet e viktimave të krimit, të cilat pretendojnë se ai nuk është mjaftueshëm i gatshëm të ndëshkojë autorët e krimeve.

“Fokusi i tij ka qenë te policët dhe tani po zbulojmë se ka bërë veprime të dyshimta, ndaj është koha të largohet,” tha Farris.

Pas fitores në zgjedhje, në një fushatë të mbështetur nga donatori liberal George Soros që premtonte ndjekje penale ndaj policëve, Garza ngriti akuza ndaj më shumë se 20 oficerëve policie, përfshirë Bretches, për rolin e tyre në shtypjen e protestave të Black Lives Matter. Ai ka tentuar të ndjekë penalisht edhe oficerë të tjerë për përdorim force vdekjeprurëse, por vetëm një dënim rezultoi i suksesshëm dhe ai më pas u rrëzua.

“Nuk ka shkelje më të rëndë të betimit të një prokurori sesa t’i mohosh qëllimisht një të pandehuri një gjykim të drejtë,” tha Robert Leonard, drejtor ekzekutiv i CLEAT, lidhur me kërkesën. “Kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave kushtetuese.”

Përveç kësaj, O’Connell paraqiti edhe një kërkesë për ngritjen e një hetimi gjyqësor, duke i kërkuar një gjyqtari të shqyrtojë nëse Garza ka kryer vepër penale përmes veprimeve të tij.

O’Connell e përshkroi këtë si përdorim të një “dispozite pak të njohur në Kodin e Procedurës Penale të Teksasit që i lejon gjyqtarit të mbajë një seancë për të përcaktuar nëse ligji është shkelur.”

“Në këtë rast, do të ishte një seancë për të përcaktuar nëse prokurori i zgjedhur dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë kanë kryer veprën e shtypjes zyrtare dhe manipulimit të provave duke mos dorëzuar prova lehtësuese ose shfajësuese.”

Ndërsa disa media lokale kanë shprehur dyshime për suksesin e kërkesës, O’Connell thotë se është optimist se do t’i jepet një seancë dëgjimore, ndoshta në datën 7 prill, kur është planifikuar tashmë një seancë gjyqësore.

“Nuk do ta zhvillojmë këtë çështje në media,” tha zyra e Garza-s në një deklaratë për mediat lokale këtë javë, duke theksuar se do të vazhdojë me procesin gjyqësor.

“Ne mbetemi gati për gjykimin dhe presim që procesi të nisë në qershor, sipas marrëveshjes së mëparshme me mbrojtjen. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe katër vjet janë shumë për të pritur. Tani është koha që komuniteti të vendosë nëse beson se veprimet e të pandehurit shkelën ligjin.” / Fox News – Syri.net