Mediat botërore jehonë protestës në Shqipëri: Shqiptarët kundër korrupsionit të Ramës
Protesta e opozitës në Tiranë mbajtur këtë 22 Mars ka marrë jehonë të gjerë ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah jo vetëm tensionet politike në vend, por edhe akuzat e vazhdueshme për korrupsion ndaj qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Mediat prestigjioze si Associated Press dhe Anadolu Agency kanë raportuar mbi përplasjet mes protestuesve dhe policisë, duke theksuar përdorimin e forcës për shpërndarjen e turmës.
Në qendër të protestës qëndron pakënaqësia e qytetarëve ndaj asaj që opozita e cilëson si një qeverisje të zhytur në korrupsion dhe mungesë transparence. Akuza të forta janë ngritur ndaj Belinda Ballukut, e përfshirë në një skandal të dyshuar për ndërhyrje në tenderë publikë pretendime që ajo i ka mohuar, por që kanë shtuar ndjeshëm mosbesimin publik.
Reuters shkruan se policia në Tiranë përdori autobotet me ujë dhe gaz lotsjellës gjatë përplasjeve të së dielës me protestues të opozitës që kërkonin dorëheqjen e qeverisë shqiptare pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres. Qindra efektivë u vendosën në të gjithë Tiranën, ndërsa shumë rrugë u mbyllën për qarkullimin pasi tensionet u rritën në qendër të qytetit
DW shkruan se protesta, e cila u shtri përpara disa institucioneve kryesore, është parë si një sinjal i fortë pakënaqësie, ndërsa thirrjet për dorëheqje dhe krijimin e një qeverie teknike po bëhen gjithnjë e më të zëshme. Në një kohë kur vendi synon integrimin në Bashkimin Evropian, zhvillime të tilla rrisin presionin mbi qeverinë për të dhënë përgjigje konkrete dhe për të rikthyer besimin e publikut.
Edhe gjiganti mediatik i Azisë, Al Jazeera i ka bërë jehonë protestës së opozitës në Tiranë. Protestuesit në Shqipëri kërkuan dorëheqjen e qeverisë pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres, thuhet në një postim në rrjetin social facebook të Al Jazeera, shoqëruar edhe me video nga protesta dje në Tiranë.
Mijëra protestues u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai dhe kabineti i tij të japin dorëheqjen, shkruan televizioni publik polak. Qindra efektivë policie u vendosën në terren dhe disa rrugë në kryeqytet u mbyllën teksa mes kërkesave për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe dorëheqje të menjëhershme të Edi Ramës forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe presione uji duke i shkaktuar liderit të opozitës Sali Berisha probleme dhe vështirësi shëndetësore.
First Post shkruan se pamjet nga terreni tregojnë një situatë të tensionuar me protestuesit që sulmohen nga forcat e rendit me topa uji dhe gaz lotsjellës dhe shkopinj gome. Kjo përplasje e dhunshme ka ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e protestave dhe respektimin e të drejtave demokratike.