Rama tallet me shqiptarët me çmimet e naftës që 'fluturojnë', Greqia masa konkrete për qytetarët e saj
Ndërsa në Shqipëri çmimi i naftës vazhdon të rritet dhe qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta, vendet fqinje po ndërmarrin masa konkrete për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve të tyre.
Pas Italisë, edhe Greqia ka miratuar një paketë mbështetjeje si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, e ndikuar nga tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme.
Më 23 mars, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, prezantoi një paketë prej 300 milionë eurosh, e cila do të zbatohet gjatë muajve prill dhe maj dhe fokusohet në katër drejtime kryesore për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset.
Duke iu drejtuar publikut, Mitsotakis theksoi se Greqia po ndjek një qasje të dyfishtë: nga njëra anë po kontribuon në një përgjigje të përbashkët evropiane, dhe nga ana tjetër po ndërhyn me masa të menjëhershme në nivel kombëtar.
Paketa përfshin:
Subvencion për naftën – Qeveria do të subvencionojë çmimin e naftës me 0.16 euro për litër, duke sjellë një ulje totale prej rreth 0.20 euro për litër, përfshirë TVSH-në.
Karta Dixhitale e Karburantit – Do të vendoset në dispozicion të qytetarëve për përdorim në pikat e karburantit, transportin publik dhe taksi. Mbështetja mesatare arrin në rreth 0.36 euro për litër, duke sjellë kursime prej afërsisht 50–60 eurosh gjatë dy muajve, në varësi të zonës.
Mbështetje për bujqësinë – Fermerët do të përfitojnë një subvencion prej 15% për plehrat kimike, si masë mbrojtëse ndaj rritjes së çmimeve.
Kompensim për tragetet – Kompanitë e transportit detar do të kompensohen për të mbajtur çmimet e biletave në nivelet e vitit të kaluar.
Sipas Mitsotakis, kjo paketë do të financohet përmes fondeve publike dhe një takse të veçantë mbi fitimet e operatorëve të lojërave të fatit online, duke gjeneruar rreth 100 milionë euro.
Ai theksoi se këto masa synojnë të forcojnë mbrojtjen sociale në një periudhë të pasigurt ekonomike, duke garantuar njëkohësisht stabilitetin fiskal dhe gatishmërinë për përballimin e sfidave të mundshme në të ardhmen.