Pasi i mbytën me gaz lotsjellës/ Policia e Ramës shoqëron e heton 24 protestues, procedohet deputeti

Policia e Ramës pasi ka sulmuar me gaz lotsjellës mijëra protestues të opozitës që kërkuan dje ne Tiranë largimin e kreut të qeverise dhe zgjedhje të parakohshme ka ndaluar dhe proceduar edhe 24 pjesëmarrës në reagimin e madh qytetar.

Gjithashtu policia nën urdhrat politikë të Kryeministrit ka referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet.

Ashtu si në cdo protestë edhe në reagimin ndaj revoltës së qytetarëve dje, u vu re një dhunë e pajustifkuar e policisë. Një agresivitet i paparë kundër qytetarëve por edhe kundër deputetëve dhe kreut të opozitës.

Njoftimi:

Më datë 22.03.2026, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Si dhe janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.
-nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.