Arteta: Zhgënjimi i finales do të na shtyjë drejt titullit në Premier League
Pas humbjes në finalen e Carabao Cup, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, theksoi se skuadra e tij do ta shndërrojë zhgënjimin në forcë për objektivin madhor: fitimin e Premier League.
“Topçinjtë” u ndalën në hapin e fundit, duke u mposhtur 2-0 nga Manchester City, por tekniku spanjoll mbetet optimist për vijimin e sezonit.
“Dua që lojtarët ta shohin situatën me perspektivë,” u shpreh Arteta. “Ajo që kemi bërë në tetë muajt e fundit është e jashtëzakonshme. Tani duhet të përdorim këtë zhgënjim dhe energjinë e brendshme për të pasur dy muajt më të mirë që kemi përjetuar si skuadër”.
Ai hodhi poshtë idenë se kjo humbje mund të ndikojë negativisht në garën për titull, duke besuar se ekipi i tij ka forcën për të reaguar pas pushimit ndërkombëtar.
“Në fund, gjithçka varet nga ne,” shtoi Arteta. “Ne duhet ta menaxhojmë këtë energji në mënyrën e duhur. Duhet të kalojmë përmes dhimbjes dhe zhgënjimit, por kjo është pjesë e futbollit dhe na ndihmon të rritemi”.
Arsenali synon të rikthehet më i fortë dhe të luftojë deri në fund për titullin e shumëpritur në Angli.