Arbeloa: Vinícius shumë pranë kulmit, kjo skuadër po rritet ndeshje pas ndeshjeje
Pas suksesit spektakolar 3-2 ndaj Atlético Madridit, Álvaro Arbeloa u ndal te paraqitja e shkëlqyer e Vinícius Júnior, duke e mbushur me elozhe: “Ishte edhe një ndeshje e madhe nga ana e tij, plot cilësi, guxim dhe dëshirë për të bërë diferencën. Gabon, por nuk dorëzohet dhe provon sërish. Është fat i madh që e kemi në skuadër. Nuk mund të them me siguri nëse ky është kulmi i tij, por është shumë afër”.
Trajneri foli edhe për kartonin e kuq të Federico Valverdes: “Skuadra reagoi me karakter dhe forcë mendore, sepse u detyruam të luanim për një kohë të gjatë me një lojtar më pak. Nuk jam dakord me vendimin, por e vlerësoj që arbitri erdhi dhe na dha shpjegim. Sipas tij ishte ndërhyrje e ashpër, por unë nuk e shoh në atë mënyrë. Ai episod e komplikoi shumë ndeshjen. Megjithatë, çdo fitore është një hap përpara, sidomos tani që gara për titullin bëhet më intensive”.
Duke folur për gjendjen e ekipit, Arbeloa shtoi: “Po i njoh gjithnjë e më mirë lojtarët e mi. Tani kam më shumë qartësi se si të nxjerr maksimumin nga secili, dhe kjo tregon se jemi në rrugën e duhur të zhvillimit”.
Për Kylian Mbappé, ai theksoi: “Pas një mungese gati njëmujore është normale të rikthehet gradualisht në formë. Sa ishte në fushë, ishte gjithmonë rrezik. Jam i bindur se do të kthehet edhe më i fortë pas angazhimeve me kombëtaren”.
Në fund, ai përmendi edhe rivalitetin me trajnerë si José Mourinho, Pep Guardiola dhe Diego Simeone, duke theksuar: “Kur ke lojtarë të mëdhenj, gjithçka bëhet më e thjeshtë. Po mësojmë të vuajmë dhe të sillemi si një skuadër e madhe”.
Ai komentoi edhe zgjedhjet në formacion, duke vlerësuar si Dani Carvajal ashtu edhe Trent Alexander-Arnold: “Unë aktivizoj gjithmonë më të mirët dhe jam i kënaqur nga të dy”.
Ndërsa për Jude Bellingham u shpreh: “Është një lojtar që përshtatet në shumë role, ndaj duhet të gjejmë pozicionin ideal për të”. Në fund, ai u ndal edhe te Brahim Díaz: “Po e kupton gjithnjë e më mirë rolin e ‘9 fals’, duhet të marrë më shumë iniciativa dhe të krijojë rrezik”.