Buffon: Ka ardhur momenti i verdiktit, t’i bëjmë skeptikët të ndryshojnë mendje
“Tani është momenti i verdiktit. Këta 120 ditë kanë qenë një vuajtje e vazhdueshme, por kanë shërbyer edhe për të sjellë diçka më shumë, një frymë të thellë dhe mirëkuptim që do të na nevojitet”. Kështu u shpreh Gianluigi Buffon, shefi i delegacionit të Kombëtares italiane, në një lidhje me emisionin “Domenica Sportiva” në Rai 2, duke hapur grumbullimin e ekipit në prag të “play-off”-eve.
Të kaltrit e drejtuar nga Gennaro Gattuso do të grumbullohen në Coverciano, ndërsa të enjten do të zhvillojnë gjysmëfinalen në Bergamo kundër Irlandës së Veriut. Ndërkohë, mbeten për t’u verifikuar kushtet fizike të Alessandro Bastonit, Gianluca Mancinit dhe Gianluca Scamacca-s.
“Është e vërtetë – shtoi Buffon – ndiejmë skepticizmin e njerëzve. Por jam i bindur se edhe kritikët, në momentin e fishkëllimës së parë, do të mbështesin Italinë. Dhe pikërisht tani duhet të vijë nga ne një mesazh për t’ua ndryshuar mendjen”.
Sa i përket presionit mbi lojtarët, Buffon theksoi: “Janë të gjithë djem shumë të fortë, të mësuar të menaxhojnë çdo lloj presioni. Magjia që dhuron Kombëtarja italiane shkon përtej vështirësive të momentit”.
Në fund, ai shtoi: “Duhet të respektojmë Irlandën e Veriut, por besoj se nëse japim 100%, kjo mjafton për të arritur në finale. Lojtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për cilësitë e tyre. Sukseset e sporteve të tjera duhet të jenë motivim edhe për futbollin, rikthimi në nivelet më të larta duhet të jetë objektivi ynë”.
Në Coverciano është parashikuar konferenca për shtyp e trajnerit Gattuso në orën 14:00, ndërsa stërvitja e parë do të zhvillohet në orën 17:00.