Marsi i vështirë për Interin, Chivu kërkon reagim dhe rikthimin e liderëve

Muaji mars nuk ishte aspak i lehtë për Interin, që, megjithatë, mund të marrë frymë disi i lehtësuar pasi kaloi një periudhë që rrezikonte të bëhej vendimtare në sens negativ. Barazimi 1-1 në Firence ishte një tjetër sinjal i vështirësive: zikaltrit e mbyllën muajin me dy barazime dhe një humbje në kampionat, si dhe një tjetër barazim në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. Në total, vetëm dy gola të realizuar dhe tre të pësuar, një bilanc që nxori në pah rënien e formës dhe mungesën e sigurisë, sidomos në ndeshje delikate si derbi.

Pavarësisht kësaj, Interi vazhdon të mbajë kreun e renditjes, me një diferencë të konsiderueshme nga Milani dhe Napoli. Megjithatë, ndjekësit duken më të qëndrueshëm psikologjikisht, çka e bën edhe më të domosdoshëm reagimin e menjëhershëm të skuadrës së drejtuar nga Chivu në muajin prill. Përballjet me Romën dhe Comon pritet të jenë vendimtare për të kuptuar ambiciet reale të zikaltërve.

Një nga problemet kryesore mbetet menaxhimi i avantazhit, me shumë pikë të humbura pasi kalojnë në epërsi. Kjo tregon mungesë përqendrimi dhe qartësie në momentet kyçe. Ndërkohë, rikthimi i Lautaro Martinezit shihet si faktor vendimtar. Pa të, Interi humbet jo vetëm golat, por edhe lidershipin në fushë.

Nga ana tjetër, pritet më shumë edhe nga lojtarë si Dumfries, Calhanoglu, Thuram dhe Bonny, të cilët nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Prilli do të jetë testi i madh për Chivu-n dhe ekipin e tij, për të treguar nëse janë gati të mbajnë ritmin e kampionit.