Berisha: Edi Rama do shkonte në spital për të parë të plagosurit imagjinarë, por 3 policët ikën…
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka demantuar skenarin e Edi Ramës për të vizituar te Spitali i Traumës, gjoja policët e plagosur në protestën e opozitës.
‘Ishte përgatitur që Edi Rama të shkonte në spital për të parë të plagosurit imagjinarë, por tre policët ikën në shtëpitë e tyre’, shpjegoi Berisha në fjalën e tij jashtë Spitalit të Traumës.
Berisha: Tani unë jam këtu.
Para se të vija këtu, kishin sjellë tre apo katër policë gjoja të plagosur, dhe mbrapa kishte ardhur dhe ministri pas tyre për shoë.
Por ajo që ishte akoma dhe më e turpshme, më qesharake, u përgatit dhe do të vinte Edi Rama për të shprehur solidaritetin policëve të plagosur imagjinarë.
Por kjo mori përmasa kaq qesharake sa ata e panë që po keqpërdoren dhe u ngritën nga shtretërit e reanimacionit dhe shkuan në shtëpitë e tyre për të mos u bërë qesharakë.
Tani unë jam këtu për ti dërguar një mesazh Policisë së Shtetit: Mos mbroni në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, Edi Ramën, kreun e organizatës kriminale dhe qeveritarët e tij.
Sepse shkelmoni mbi interesat më jetike, kombëtare, të çdo shqiptari, tuajat të familjeve tuaja, të shoqërisë shqiptare.
Ndaj dhe hiqni dorë nga çdo lloj sjellje dhune.
Opozita është e betuar dhe e vendosur të vazhdojë kryengritjet paqësore. Kështu që edhe me këtë rast, thirrja ime për Policinë e Shtetit: të mos përdoret si mish për top për një bandë hajdutësh, për një organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama që vjedh dhe i përdor ata si mburojë.
Pra kjo është thirrja. I përshëndes të tre policët që u larguan menjëherë sapo morën vesh që mund të vinte dhe kreu i narkoshtetit për teatër me ta.