Interi ndalet në transfertë nga Fiorentina, shkurtohet diferenca me Milanin
Fiorentina ka marrë një pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë, duke barazuar 1-1 ndaj Interit, që vazhdon të hasë vështirësi në Serie A me ndeshjen e tretë radhazi pa fitore.
Sfida nisi në mënyrën më të keqe për vendasit, pasi Francesco Pio Esposito kaloi Interin në avantazh që në minutat e para me një goditje të saktë me kokë, pas asistit të Nicolò Barella. Mesfushori italian ishte pranë edhe golit të dytë, por tentativa e tij u anulua për pozicion jashtë loje.
Megjithatë, Fiorentina reagoi gradualisht dhe krijoi disa raste të mira në pjesën e parë.
Moise Kean dhe Albert Guðmundsson iu afruan golit të barazimit, ndërsa një tjetër realizim i Kean u anulua për ofsajd.
Në pjesën e dytë, Interi kishte mundësinë të mbyllte ndeshjen, por Manuel Akanji dhe Marcus Thuram nuk arritën të konkretizonin rastet e tyre.
Ndëshkimi erdhi në minutën e 77-të, kur Cher Ndour u tregua i vëmendshëm në zonë dhe shënoi nga afër pas një pritjeje të Yann Sommer ndaj goditjes së Guðmundsson.
Në minutat e fundit, Jack Harrison ishte shumë pranë përmbysjes, por tentativa e tij kaloi pranë shtyllës.
Në fund, ndeshja u mbyll në barazim, me Fiorentinën që vazhdon serinë pozitive dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë, ndërsa Inter humbet terren në krye, duke shkurtuar tashmë në 6 pikë diferencën me Milanin e vendit të dytë.