‘Rrezikojnë hakmarrje’ - Shtetet arabe paralajmërojnë për sulmet amerikane ndaj termocentraleve të Iranit

Shtetet arabe që shtrihen në Gjirin Persik e kanë paralajmëruar administratën amerikane se shënjestrimi i termocentraleve të Iranit do të shkaktonte hakmarrje, që mund të rrezikonin objektet e tyre të energjisë dhe ujit, si dhe ekonominë globale, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të njohur me çështjen.

Zyrtarë nga disa shtete arabe thanë se ishin të zemëruar nga mungesa e ndikimit tek administrata amerikane, pavarësisht investimeve të mëdha në kohë dhe para, thuhet në raport.

Sakaq edhe Irani është zotuar për hakmarrje nëse shënjestrohet infrastruktura e tij energjetike.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha se kërcënimet për të synuar termocentralet dhe infrastrukturën jetësore të vendit, shkelin ligjin ndërkombëtar dhe do të përballen me një përgjigje proporcionale.

“Çdo sulm ndaj infrastrukturës jetësore të Iranit do të përballet me një kundërmasë proporcionale”, tha Gharibabadi në një postim në X.

“Një kërcënim i hapur ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës jetësore të synuar… drejtohet ndaj objekteve civile”, shtoi ai.

Ai tha se veprime të tilla do të përbënin krime lufte, dhe paralajmëroi se përgjegjësia për çdo përshkallëzim të mëtejshëm do të binte mbi ata që e nisën atë./ Iran International.