Raketa me rreze 4 mijë km - Ministri britanik: S'ka asnjë provë se iranianët po synojnë Mbretërinë e Bashkuar

Nuk ka “asnjë vlerësim që ta mbështesë” pretendimin e Izraelit se Irani ka raketa me rreze të gjatë që mund të arrijnë deri në Londër, ka deklaruar një ministër i kabinetit britanik.

Sekretari për Strehimin, Steve Reed, i tha BBC-së se “nuk ka asnjë vlerësim specifik që iranianët po synojnë Mbretërinë e Bashkuar – apo edhe që mund ta bënin këtë nëse do të donin”, pasi IDF deklaroi të shtunën (21 mars) se Teherani kishte armë që mund të arrinin deri në 4,000 km.

 Kjo vjen pasi u bë e ditur se Irani kishte shënjestruar bazën e përbashkët ushtarake SHBA–Mbretëri e Bashkuar në Oqeanin Indian, rreth 3,800 km larg Iranit.

Reed refuzoi të thoshte se sa afër iu afruan raketat territorit britanik jashtë shtetit, duke thënë se nuk mund të ndajë “detaje operative”.

Irani lëshoi dy raketa balistike drejt Diego Garcia-s – njëra prej të cilave dështoi dhe ra përpara objektivit, ndërsa tjetra u interceptua, tha Steve Reed.

Sipas The Wall Street Journal, që raportoi i pari për sulmet duke cituar zyrtarë amerikanë, raketa e interceptuar u zhduk pasi një shkatërrues amerikan lëshoi raketa kundër saj.

Pasi doli lajmi për sulmin e tentuar, IDF deklaroi të shtunën se vitin e kaluar kishte zbuluar se Teherani synonte të zhvillonte raketa të afta të arrinin në Evropë, Azi dhe Afrikë.

Ajo shtoi: “Kemi kohë që e themi: regjimi terrorist iranian përbën një kërcënim global. Tani, me raketa që mund të arrijnë Londrën, Parisin apo Berlinin.”

I pyetur nëse kjo ishte e vërtetë, Reed këmbënguli se “nuk ka asnjë vlerësim specifik që iranianët po synojnë Mbretërinë e Bashkuar apo edhe që mund ta bëjnë këtë, nëse do të donin”.

“Ne jemi plotësisht të aftë të mbrojmë këtë vend dhe ta mbajmë të sigurt, qoftë brenda territorit tonë, apo për asetet dhe shtetasit tanë në rajon,” tha ai në emisionin ‘E diela’ ‘Sunday’ me Laura Kuenssberg.

I pyetur sërish për komentet e IDF-së, ai tha: “Nuk ka asnjë vlerësim që i mbështet këto pretendime.”

Ai shtoi se, edhe nëse Irani do të ishte në gjendje të kryente sulme në një distancë të tillë, forcat e armatosura britanike do të ishin të afta ta mbronin Mbretërinë e Bashkuar.

Arma me rrezen më të gjatë në arsenalin e Iranit mendohet të ketë një rreze maksimale prej rreth 2,000 km, shumë më pak se distanca deri në Diego Garcia dhe Londër.

Presidenti amerikan Donald Trump pretendoi disa ditë para se SHBA dhe Izraeli të nisnin sulmet ndaj Iranit se ky i fundit kishte zhvilluar raketa që mund të “kërcënonin Evropën” dhe se po punonte për ndërtimin e raketave të afta të godisnin Shtetet e Bashkuara.

Ministri i jashtëm i Iranit tha më herët këtë muaj se vendi i tij kishte vendosur qëllimisht një kufi prej 2,000 km për rrezen e raketave, pasi “nuk duam të perceptohemi si kërcënim për askënd tjetër në botë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli të dielën se Irani ka “kapacitetin për të arritur thellë në Evropë”.

Homologu konservator i Reed-it, Sir James Cleverly, i tha programit se Irani po përdor “raketa me rreze shumë, shumë të gjatë”, por nuk pranoi të komentonte nëse ato mund të godasin Mbretërinë e Bashkuar, pasi nuk ka më akses në raportet e inteligjencës që kishte si ish-ministër i jashtëm, shkruan BBC.