Tirana fiton pastër sfidën e mbijetesës me Vorën
Tirana ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke ringjallur ndjeshëm shpresat për mbijetesë në Kategoria Superiore.
Bardheblutë triumfuan me shifrat e pastra 3-0 ndaj Vorës, një rival direkt, duke e arritur në kuotë pikësh në renditje.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 12-të nga Alvarez, i cili realizoi një gol tepër emocional.
Futbollisti shpërtheu në lot, duke ia dedikuar rrjetën vajzës së tij që u nda nga jeta në fillim të këtij viti, një moment prekës që preku të gjithë të pranishmit në stadium.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Tiranës, ndërsa në të dytën vendasit rritën ritmin dhe vulosën fitoren. Protagonist absolut ishte Redon Xhixha, i cili hyri nga stoli dhe ndryshoi rrjedhën e sfidës.
Sulmuesi realizoi dy gola në minutat 66 dhe 80, të dy pas kundërsulmeve të shpejta dhe të ekzekutuara në mënyrë perfekte, duke mos i lënë asnjë shans portierit kundërshtar.
Me këtë sukses, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi merr tre pikë jetike në luftën për mbijetesë dhe sheh më me optimizëm vazhdimin e sezonit.
Tirana tashmë duket se ka gjetur ritmin e duhur në momentin më vendimtar të kampionatit.