Fantastike Como e Fabregas, fitore me 5 gola dhe ‘blindon’ vendim e katërt në Serie A
Como vazhdon formën fantastike në kampionat, duke marrë fitoren e tretë radhazi pas suksesit bindës 5-0 ndaj Pisës.
Sfida u zhbllokua shumë shpejt, që në minutën e 7-të, kur Diao kaloi vendasit në avantazh.
Presioni i vazhdueshëm i Comos dha rezultat sërish në minutën e 29-të, me Douvikas që dyfishoi shifrat dhe i dërgoi ekipet në pushim me një epërsi të sigurt.
Në pjesën e dytë, vendasit nuk ulën ritmin dhe gjetën menjëherë golin e tretë me Baturina, duke e bërë të qartë dominimin në fushë.
Në minutën e 75-të, erdhi edhe momenti i Nico Paz, i cili realizoi një gol të bukur për të thelluar rezultatin.
Festën e golave e mbylli Perrone në minutën e 81-të, ndërsa miqve iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, duke mos ndryshuar fatin e takimit.
Me këtë fitore, Como ngjitet në kuotën e 57 pikëve, duke forcuar vendin e katërt dhe krijuar një diferencë prej tre pikësh nga Juventus që ndjek në vendin e pestë.
Një ecuri mbresëlënëse për skuadrën e drejtuar nga Fàbregas, që po surprizon në këtë sezon të Serie A.