‘Paguajnë naftën sa frëngu pulën’, Noka: Jo të gjithë janë të tredhur, jemi shqiptarë që s'i ulim kryet kurrkujt!

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka reaguar ashpër ndaj atyre qytetarëve që zgjedhin të heshtin përballë rritjes së çmendur të çmimit të naftës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Noka shkruan se për disa njerëz është më e lehtë që të mbyllin gojën e ta paguajnë naftën sa frëngu pulën, për shkak të frikës apo urrejtjes politike.

‘Për ta është më mirë të pranojnë në heshtje çdo dhunim që u bën pushtetari, sesa të dalin në shesh si burrat. Epo nuk jemi të gjithë të trembur e të tredhur’, shkruan Noka.

Me ironi, Noka u kujton atyre se jo të gjithë janë të trembur e të tredhur për të pranuar përuljen ndaj pushtetit, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e kësaj të diele, 22 mars përpara Kryeministrisë.

Statusi

Ka njerëz që zgjedhin të mbyllin gojën e ta paguajnë naftën sa frëngu pulën, prej frikës apo urrejtjes politike. Për ta është më mirë të pranojnë në heshtje çdo dhunim që u bën pushtetari, sesa të dalin në shesh si burrat. Epo nuk jemi të gjithë të trembur e të tredhur. Ne jemi #shqiptarë që s'i ulim kryet kurrkujt. Një pushtet kriminal nuk ka gojë për të shitur moral. Këtë lloj pushteti mbi ne nuk e pranojmë. Ne i përvishemi e s'i lëmë gjë mangët.

Sot, ora 18:00, përpara kryeministrisë!