SYRI TV/ Ndërtoi resort pa leje, lirohet ish-zyrtari, Gjykata: Ardian Halili është sjellë mirë

Lihet i lirë ish-kreu i ndërtimores në Durrës, Ardian Halili. Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë të lirë ish-zyrtarin, i cili ndërtoi pa leje një resort turistik në zonën e Kepit të Rodonit. Halili, ishte në krye të Inspektoratit ndërtimor gjatë kohës që bashkia e Durrësit drejtohej nga Vangjush Dako, u arrestua në gusht 2025, ndërkohë që përpara se të lirohej përfundimisht nga Gjykata, ai qëndronte në arrest shtëpie 

Syri tv

Gjykata ka liruar nga arresti ish-kryeinspektorin ndërtimor të Durrësit, Ardian Halili, i prangosur në gusht 2025 pasi kishte ndërtuar një resort luksoz pa leje në zonën e Kepit të Rodonit. Vendimi është dhënë pak ditë më parë, me argumentin se ai është sjellë mirë gjatë hetimit. Halili ka mbajtur postin e drejtuesit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Durrësit në periudhën 2018-2021, kohë në të cilën qyteti drejtohej nga Vangjush Dako. Në gusht të vitit të kaluar, Policia dhe Inspektorati Ndërtimor konstatuan se resorti turistik “Saint Michelle Residence” ishte ndërtuar tërësisht pa leje.

Në kuadër të veprimeve hetimore, u arrestuar në flagrancë pronari i kompleksit pa leje, Ardian Halili, për veprat penale të ndërtimit pa leje për qëllime përfitimi, si edhe për shpërdorim detyre. Pak ditë më pas, forcat xheniere të IKMT-së shkatërruan ndërtimin pa leje me eksploziv. Ardian Halili u justifikua para grupit hetimor se ai ishte pajisur me lejet përkatëse nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako. Megjithatë, hetimet zbuluan se njeriu që kishte për detyrë të luftonte informalitetin në ndërtime, në fakt kishte ndërtuar vetë pa leje.

Gjykata e Durrësit fillimisht caktoi masën “arrest me burg” për Halilin. Më vonë, në shtator 2025, Gjykata e Apelit e Jurdiksionit të përgjithshëm e zbuti masën, duke caktuar “arrest në shtëpi”. Në mesin e marsit të këtij viti, Gjykata e Durrësit, me konsensusin e e prokurorisë së qytetit, pranoi kërkesën e të akuzuarit Ardian Halili për zbutjen e mëtejshme të masës, në detyrim për paraqitje. Sipas prokurorisë dhe gjykatës, i pandehuri Halili ka qenë korrekt gjatë hetimit, është i martuar me fëmijë, me arsim të lartë dhe për këto arsye, ai nuk duhet të vijojë të qëndrojë nën masën e arrestit.